AKTUALITET, 5 Qershor 2023, 23:09

"Qeveris me arrogancë dhe prodhon kriza", Memli Krasniqi akuzon Kurtin: Po të isha unë kryeministër, s'do të ishte kjo situatë

"Qeveris me arrogancë dhe prodhon kriza", Memli Krasniqi akuzon
Fotomontazh: Krasniqi dhe Kurti

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në opozitë, deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se situata aktuale në Kosovë është për shkak të qeverisjes së Albin Kurtit, të cilën ai e përkufizoi si arrogante. Sipas tij, gabimet dhe krijimi i krizave që pasonin njëra-tjetrën kanë ndikuar te qasja e perëndimorëve për dialogun dhe ndaj Kosovës.

Biseda në studio

Krasniqi: Në dy vitet e fundit kemi pasur një koncentrim të angazhimit të ndërkombëtarëve, me qëllimin e vetëm që të ketë shtyrje përpara dhe arritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve. Ajo çka ka ndodhur gjatë rrugës në qeverisje të Kurtit, duhet analizuar. Meqenëse krejt bota kishte qëllim që të arrihej një marrëveshje finale, por e morëm atë të përkohshme, pyetja themelore është: pse ndodhi kështu?! Përgjigja duket e thjesht, kur kemi parasysh injorimin dhe arrogancën që ka kapluar Kurtin dhe qeverisjen e tij. Sjelljet dhe gabimet dhe krijimi i krizave që pasonin njëra-tjetrën kanë ndikuar te qasja e perëndimorëve për dialogun dhe ndaj Kosovës. S’mund ta shohim të shkëputur këtë proces. Kriza e fundit është në vazhdën e atyre gjërave që ka krijuar Kurti, si me targat psh.

Rakipi: Nëse do të ishin në krye të qeverisë si do ta zgjidhnit këtë çështje?

Krasniqi: Nëse do të isha në krye të qeverisë, s’do të ishim në këtë situatë. Ne kemi marrë masivitet të mbështetjes. Partitë që sot janë në opozitë e njohin rëndësinë e dialogut. Është humbur kohë që në vitin e parë të qeverisjes së Kurtit.  Është humbur kohë kur kemi gjithë këtë mbështetje të klasës politike në Kosovë, që kjo marrëveshje të ishte bërë një vit më parë. Ne sot nuk do të ishim në këtë situatë për të diskutuar nga kriza në krizë. Nuk kalon pa shkaktuar dhe krizën tjetër kryeministri në veri të vendit. Sot qytetarët në Kosovë jetojnë më keq se para dy vitesh. Shëndetësinë e kemi në buzë të kolapsit dhe arsimin po ashtu, kemi emigracion. Trendi i largimit nuk ka qenë kurrë kaq i madh.