AKTUALITET, 5 Qershor 2023, 17:48

Rama shpërthen me kritika në Fier: Kadastra portreti i turpit tonë, njerëzit na kanë dhënë kredi të lartë, por...

Rama shpërthen me kritika në Fier: Kadastra portreti i turpit

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me qytetarë të Fierit, në turin e falënderimeve, tha ndër të tjera se Kadastra është portret i turpit të qeverisë së tij.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se shumë shpejt do të transformohet procesi i  prokurimeve për të lehtësuar “barrën” njerëzve. 

“Kadastra është portreti i turpit tonë. Janë pjesë e një procesi sepse nuk mund të bëhen dot të gjitha përnjëherë se janë pjesë e kësaj kontrate që ne kërkuam që qytetarët e nënshkruan dhe tani jemi ne ata që do e zbatojnë. Njerëzit na kanë dhënë një kredi të lartë. Kush mendon se është kredi me interesa të ulëta e ka gabim. Kemi punuar për këtë ditë, duhet ta përmbysim rendin që ekziston, dyert e Kadastrave duhet t'i mbyllim, qytetarët s'do kenë nevojë të shkojnë. Brenda muajit që jemi do e bëjmë dhe prezantimin e këtij transformimi, për t'ja hequr këtë barrë njerëzve. Do transformojmë procesin e prokurimeve. 

Do nënvizojmë diçka të rëndësishme, nuk ndodh që të përmbushen të gjitha pritshmëritë. Ka diçka që duhet t'ia plotësojmë, kjo është diçka që duhet të jetë pika e parë e programit, njerzillëku. Pavarësisht se çfarë statusi social janë. Nëse bëhet kjo është bërë diçka shumë e rëndësishme, nëse nuk bëhet çdo gjë që mund të bëhet nuk ka vlerën e asaj që mund të ketë. Duhet ta bëjmë bashkinë shumë të hapur”, tha ai.

Kujtojmë se më herët në krye të Kadastrës Rama besoi Artan Lamen, të cilin e shkarkoi së fundmi.