TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria planifikon të japë bonus për pensionistët edhe këtë fundvit. Vendimi pritet të merret nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit pas muajit shtator.
“Ne presim që mbështetja e fundvitit të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos lërë jashtë asnjë kategori. Të moshuarit përballen me kosto të larta jetese dhe çdo ndihmë financiare është e domosdoshme, veçanërisht në periudhën e dimrit”, tha Faik Xhani, nga “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”.
Vendimi vjen pas nisjes së zbatimit të skemës së re, e cila parashikon rritje mujore të pensioneve. Nga kjo formulë, rreth 90 mijë të moshuar u përjashtuan nga rritja. Aktualisht, bonus mujor marrin 727 mijë pensionistë, ndërkohë që në vend janë rreth 770 mijë në total. Vetëm 36 për qind e tyre do të marrin 1 800 lekë në muaj, ndërsa pjesa dërrmuese, rreth 41 për qind, do të marrë 800 lekë. Më pas vijnë 10,3 për qind që do të marrin 1 000 lekë, ndërsa pjesa tjetër përfiton shuma në intervalin 600–700 lekë.
“Formula aktuale ka krijuar diferenca mes pensionistëve dhe kjo ka sjellë pakënaqësi. Duhet rishikuar mënyra e përllogaritjes që mbështetja të jetë më e drejtë dhe të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Xhani.
Nëse skema do të mbetet e pandryshuar, numri i pensionistëve që nuk do të përfitojnë pritet të rritet në vitin 2027, pasi vlerat mujore të bonusit do të dyfishohen. “Fondet e akumuluara duhet të shfrytëzohen për të forcuar skemën e pensioneve, qoftë për rritje të përhershme, qoftë për shpërblime shtesë. Është e rëndësishme që këto burime të kthehen në përfitime konkrete për pensionistët”, u shpreh Xhani.
Ndërkohë, fundjavën e kaluar, Ministria e Financave njoftoi se rreth 167 milionë euro që nuk u shpenzuan vitin e kaluar janë depozituar në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë. Fondet që kalojnë në llogarinë e Bankës Qendrore mund të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave për të mbështetur pensionistët, si për shpërblime, ashtu edhe për indeksimin e pensioneve.