AKTUALITET, 23 Shkurt 2026, 15:46

“U intimiduan dhe kërcënuan dëshmitarët”, Bardhi: Po bëhen mburojë të të inkriminuarës Balluku, e lidhur me krimin e organizuar! SPAK solli prova

“U intimiduan dhe kërcënuan dëshmitarët”,

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së tha sot pas mbledhjes te Këshilli i Mandateve, se mazhoranca po i bëhet mburojë të të inkriminuarës Belinda Balluku, edhe pse SPAK solli prova që rëndojnë pozitën penale të zv/kryeministres së pezulluar.

Ndërsa theksoi se Kuvendi është kthyer në një bunker ndaj të të pandehurës Balluku, 5 anëtarët e Komisionit sipas tij kanë marrë urdhër nga Rama që të bëhen mburojë dhe të mos i hapin rrugë kërkesës së Prokurorisë për heqjen e mandatit dhe arrestimit të mundshëm.

Sipas Bardhit, ka prova nga SPAK që u sollën në mbledhje, sipas të cilave nga 10 vite burgim që ishte fillimisht nga procedimi dhe marrja e pandehur, ka shkuar në 35 vite burg me provat e reja. Janë dy forma sipas tij, kërcënimi dhe intimidimi, i dëshmitarëve, funksionarëve të kabinetit ë Ballukut por edhe të të pandehurve të dosjes.

“Edi Rama ka urdhëruar 5 anëtarët e tij të komisionit të bëhen mburojë të të inkriminuarës Belinda Balluku. Po SPAK tha sot se pozita e Ballukut është rënduar me provat e reja. Por masat nuk mbrojnë dot hetimin e pavarur dhe të plotë të çështjes. Prokuroria tha sot në Komision se masat në GJKKO i ka kërkuar fillimisht kur veprat që akuzohej Balluku parashikonin dënim me 10 vite burg, kurse tani me provat e reja, zonja Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Pra jemi në një situatë të rënduar të krimeve të saj”, tha Bardhi ndër të tjera.

Ai foli edhe për provat që SPAK dorëzoi në Këshill, mbi të cilat mbështet edhe kërkesën për heqjen e imunitetit.

“Prokurorët i kanë vendosur në dispozicion këshillit të Mandateve provat se si Balluku është e lidhur me persona të krimit të organizuar dhe përmes tyre, që prokurorët i cilësuan të fortë, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në favor të Ballukut dhe gjithashtu intimiduar anëtarë të kabinetit të Ballukut”, vijoi deputeti demokrat.

Bardhi foli edhe për taktikat e kërcënimit të përdorura, deri në ofrimin e ryshfetit për mbyllje goje. Sipas tij, balluku ka përdorur kontigjentë të krimit të organizuar për të kërcënuar dhe intimiduar.

“Pra dy forma, njëra me kërcënim se do hiqeshin nga puna, ata, familjarët e të tjerë. Dhe tjetra me para, që ata të hapnin gojën se sa donin që ata të ndryshonin dëshmitë. Ndaj ne kërkonim edhe prezencën e medias në mbledhje, që të dëgjonit se si kërcënoheshin dëshmitarët, se si intimidoheshin me bukën e gojës qytetarët. Prokuroria konfirmoi se nuk bëhet fjalë vetëm për të pandehur, por edhe për dëshmitarë që do thirren nga SPAK e për shkak të atyre që do dëshmojnë, janë intimiduar dhe kërcënuar në ato dy forma që thashë më sipër, pra persona që janë të pandehur apo persona pjesë e kabinetit ë zv/kryeministres”, tha ligjvënësi opozitar.