AKTUALITET, 23 Shkurt 2026, 16:21

“Të fortët e Ballukut kanë kërcënuar dëshmitarët”/ Ç'deklaroi Dritan Prençi? Polemika mes Top Channel dhe Bardhit

“Të fortët e Ballukut kanë kërcënuar

Mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Belinda Ballukut, është shoqëruar me dy versione krejt të ndryshme mbi atë që kanë deklaruar prokurorët e SPAK. 

Nga njëra anë, kreu i grupit parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, pretendon se prokuroria ka folur për intimidim dëshmitarësh përmes “të fortëve”, duke lënë të kuptohet elementë të krimit të organizuar. 

Nga ana tjetër, sipas raportimit të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, prokurori i SPAK Dritan Prençi e ka mohuar këtë interpretim, duke sqaruar se termi “të fortë” i referohej personave brenda kabinetit të Ballukut dhe jo figurave të krimit të organizuar.

Këto dy narrativa të kundërta kanë ndezur menjëherë një përplasje politike dhe mediatike mbi atë çfarë realisht u tha në mbledhjen me dyer të mbyllura. 

"Gjatë mbledhjes, burime i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se prokurori i SPAK, Dritan Prençi e ka përgënjeshtruar përmbajtjen që është shpërndarë në media. Ai ka thënë se fjala “të fortë” i referohet njerëzve në kabinetin e zv.kryeministres Balluku dhe jo personave të tjerë", thuhej në lajmin e Top Channel. 

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e quan propagandë këtë raportim. 

"Kur një televizion kombëtar shndërrohet, fatkeqësisht, në një organ propagande të Partisë Socialiste dhe të korrupsionit qeveritar!

Në asnjë moment, Prokurori Premçi nuk ka përgënjeshtruar atë që deklaroi vetë, jo një herë, jo dy herë, por plot katër herë:

Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitarët përmes dy formave:
1.⁠ ⁠Përmes “të fortëve”, për të cilët prokurori deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor.
2.⁠ ⁠⁠Përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive.

Një televizion kombëtar që i shërben interesit publik nuk merr SMS të gatshme nga Taulant Balla (sepse nuk është gazeta TEMA), por verifikon burimin, konfirmon mesazhin në disa burime, ku më i besueshmi do të ishte SPAK-u. Kur interesi nuk është informimi i publikut, por mashtrimi dhe mbrojtja e korrupsionit qeveritar, prej të cilit shpesh përfiton edhe vetë, atëherë e vërteta deformohet sipas interesot tẽ pushtetit.

P.S. Ndër të tjera, prokurorët u kanë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit edhe transkriptin e përgjimeve të datës 20 nëntor 2025, ku ky fakt rezulton qartësisht", deklaron Bardhi.