AKTUALITET, 23 Shkurt 2026, 13:51

'Heronjtë e revoltës'/ Berisha kërcënon sërish për sulme: Kam dhënë porosi që të vëzhgohen selitë e PS në qarqe dhe rrethe

'Heronjtë e revoltës'/ Berisha kërcënon

Kreu i PD, Sali Berisha ka kërcënuar sërish për sulme ndaj selive të PS në të gjithë vendin. Në konferencën për media me gazetarët, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, që të ndalë sulmet ndaj selisë së tij.

“Atëherë, të përshëndes heronjtë e revoltës. Dënoj me forcën më të madhe keqtrajtimin policor që u bë ndaj të rinjve, të cilët ishin energjia, guximi dhe fytyra e vërtetë e protestës. Dënoj me forcën më të madhe sulmin ndaj selisë së PD dhe e paralajmëroj Edi Ramën të ndërpresë çdo sulm ndaj selisë sepse përgjigja mund të jetë ajo që nuk ia pret mendja atij”, tha kryedemokrati.

Berisha nënvizoi se degët e PD kanë marrë porosi për të vëzhguar të gjitha selitë e PS në qarqe e rrethe.

“Degët e PD kanë marrë porosi të bëjnë rikonjicion për të gjitha selitë e PS në qarqe dhe rrethe dhe unë e paralajmëroj edhe njëherë sepse ju e keni parë, sulmi në mënyrën më absurde u përqendrua tek selia”, deklaroi ai.
Kryedemokrati instiston se efektivët e policisë, të cilët i etiketon grup banditësh me uniformë, qëlluan në drejtim të selisë blu në protestën e 20 shkurtit.

“Aty u pozicionuan një grup banditësh me uniformë që qëllonin me të gjitha mjetet në drejtim të selisë dhe një grupi protestuesish që ishin në rrugë para selisë. Çfarë po bënin ata? Çfarë kërcënimi përbënin ata që qëndronin para selisë së tyre? Në fakt, po sulmohej selia. Dhe unë përsëri i them, Edi Rama u garantoj ju se për të shpëtuar lëkurën e tij, do donte që t’ia digjnim pesë herë selinë e PS aty ku është. Por ajo nuk do ndodhë kur do ai. Këtë e siguroj”, u shpreh Berisha.
Kërcënimin e parë, ai e bëri më 21 shkurt, një ditë pas protestës, në një komunikim live në rrjetet sociale. 

“Garantoj Edi Ramën se për të gjitha këto do jetë përgjegjës. Por në përshkallëzimin e tyre të djeshëm në një akt urrejtje të papërmbajtur janë hedhur në oborrin e selisë së PD sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese. Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD dhe pluralizmit. Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS në çdo rreth. Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit”, tha Berisha.