AKTUALITET, 23 Dhjetor 2025, 11:07

PS kërkoi përjashtimin e deputetëve të PD pas kaosit në Kuvend, Sekretariati i Etikës “dënon” me 30 ditë 6 demokratë

PS kërkoi përjashtimin e deputetëve të PD pas kaosit në

Sekretariati i Etikës u mblodh ditën e sotme, 23 dhjetor, në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë dhe në nisje të seancës plenare të 18 dhjetorit 2025.

Në mbledhjen e sotme, sekretariati i Etikës vendosi të marrë masa vetëm për 6 deputetë, ndaj të cilëve ishte kërkuar përjashtim me 30 dhe 60 ditë.

Pas tërheqjes për vendim, kryetari i Sekretariatit të Etikës, Ulsi Manja, njoftoi se është vendosur përjashtimi me 30 ditë pune nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për sjellje jo etike i deputetëve si më poshtë:

1-Belind Këlliçi

2-Fidel Kreka

3-Albana Vokshi

4-Klevis Balliu

5-Flamur Noka

6-Elda Hoti

Ndërkohë, për 23 deputetë të tjerë, nuk u vendos përjashtim nga seancat plenare, por tërheqje vëmendje për sjelljen e tyre në Kuvend.

Sipas kërkesës së PS, seanca plenare u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në sallë, sulme ndaj Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe bllokimin e foltores dhe zhvillimit normal të punimeve parlamentare.

Grupi Parlamentar i PS thekson se, bazuar në pamjet filmike dhe provat e administruara, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.