AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 17:46

VIDEO/ U rrëzua duke ruajtur bagëtitë në mal, ndërhynë policia e Lezhës. I moshuari transportohet te Trauma

VIDEO/ U rrëzua duke ruajtur bagëtitë në mal,

Një i moshuar është shpëtuar këtë të shtunë nga policia e Lezhës pasi i erdhën në ndihmë në një zonë malore. I moshuari mësohet se është rrëzuar teksa po ruante bagëtitë në zonën malore pranë kalasë së qytetit dhe kishte marrë dëmtime.

Ai ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal të Lezhës dhe për shkak të gjendjes së tij është dërguar në spitalin e Traumës për trajtim më të specializuar. Policia gjithashtu ka ndarë pamje nga momenti i transportimit të 71-vjeçarit nga zona malore.

‘Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore i Spitalit Rajonal të Lezhës i shkuan në ndihmë një të moshuari të dëmtuar në zonë malore.

Pas marrjes së njoftimit se një i moshuar ishte dëmtuar në një zonë malore, mbi Kalanë e Lezhës, shërbimet e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me ekipin e urgjencës mjekësore të Spitalit Rajonal të Lezhës, kanë reaguar menjëherë.

Shtetasi, i cili ishte duke ruajtur bagëtitë në mal, dyshohet se ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime, duke e pasur të pamundur lëvizjen. Me mbërritjen në vendngjarje, shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore i Spitalit Rajonal të Lezhës bënë të mundur transportimin e tij në Spitalin Rajonal të Lezhës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Më pas, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe nevojës për trajtim më të specializuar, 71-vjeçari u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Policia e Lezhës mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe i fton ata që, për çdo problematikë apo situatë emergjente, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112′, njofton policia.