TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I konsideruar si ishulli më i madh vendin tonë, Sazani prej tri ditësh ndodhet në betejë me flakët.
Situata është shqetësuese duke qenë se në zonë janë dëgjuar shpërthime të municioneve, ndërsa deri më tani janë shkrumbuar pisha shekullore. Shuarja e flakëve duket e pamundur, ndërsa autoritetet me sa duket janë dorëzuar me sytë nga qielli në pritje të shiut.
Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometra katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Edhe pse vetëm 17 km larg portit të Vlorës, askush nuk mund të shkelë në ishullin e Sazanit pa lejen e posaçme.
Porti i vogël i Sazanit u ndërtua gjatë pushtimit të italianëve pas Luftës së Parë Botërore dhe u zgjerua nga rusët në vitet 1960 duke i dhënë karakterin e një porti ushtarak.
Ndërtesat e banimit, kopshti i fëmijëve, spitali dhe shkolla u ndërtuan gjatë kohës së komunizmit. Godinat janë edhe sot të rrethuara nga një bimësi e harlisur. Vetëm kur zbret në ishull kupton se ky reliev kodrinor nuk është i zhveshur.
Familjet e ushtarëve, admiralëve dhe gjeneralëve mbushën ishullin. Jeta e njerëzve lulëzoi midis luftës për të siguruar energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Megjithatë, për pjesën tjetër të Shqipërisë, Sazani ishte një vend misterioz dhe legjendë. Për njerëzit që nuk kishin lidhje me jetën në ishull, kjo ishte një zonë e kufizuar.
Pas vitit 1997, veç forcave të ushtrisë shqiptare, në Sazan u instaluan edhe forcat ushtarake italiane të Guardia di Finanza-s, me qëllim për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e drogës, kontrabandën e mallrave të ndryshme etj.
Në kohën e diktaturës duhet të merrje leje në Ministrinë e Brendshme për të vizituar këtë ishull. Por, ende sot procedurat nuk janë lehtësuar. Personat që duan të shkelin në “ishullin ushtarak” duhet të marrin një leje në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ishulli që dikur ishte bazë e 3 mijë trupave ushtarake, në vitin 2010 u shpall park i mbrojtur.