AKTUALITET, 6 Qershor 2022, 20:37

Berisha akuza qeverisë: Gjashtë ministra janë kandidatë për tu ekstraduar, prandaj bllokohet ligji i ekstradimit…

Berisha akuza qeverisë: Gjashtë ministra janë kandidatë

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga foltorja e Parlamentit se qeveria shqiptare po bllokon ligjin e ekstradimit me vendet e Beneluksit pasi gjashtë ministra janë kandidatë për tu ekstraduar.

“Së pari denoncoj qeverinë e cila nuk sjell në parlament marrëveshjet e ekstradimit me vendet e Beneluksit dhe këtë nuk e bën për faktin se 6 ministra janë kandidatë për ekstradime”, tha Berisha.

Gjithashtu ish-kryeministri shtoi se zgjedhja e Bajram Begaj në krye të shtetit shënon rivendosjen e sistemit monist në Shqipëri, ku të gjitha pushtetet i takojnë një personi të vetëm, kryeministrit Rama.

“Emërimi i Gjeneral Bajram Begaj në postin e Presidentit nga Edi Rama, bën që Shqipëria të jetë si në diktaturën moniste, ku pushtet janë në duart e një njeriu të vetëm. Sot njëlloj si në të shkuarën të gjitha institucionet e pavarura, janë që të gjitha të Partisë Socialiste. Sot të gjithë drejtuesit e institucioneve më të larta të drejtësisë, çdo gjykatës i Lartë dhe gjykatës i Kushtetueses është zgjedhur dhe emëruar nga Partia Socialiste.

Sot të gjitha mediat kontrollohen nga narkoqeveria. Sot të gjithë sektorët madhorë zotërohen nga oligarkët e Edi Ramës.

Me zgjedhjen e Presidenti u zhduk gjurma e fundit mes balancës së pushteteve. Kjo mënxyrë nuk erdhi brenda një dite, monizmin Edi Rama e vendosi së par nga mentaliteti i tij i të shkuarës Hoxhiste, e vendosi përmes blerjes së votave dhe lidhjeve me bandat dhe krimin.

Së treti me tendera mori peng ish-drejtuesit e opozitës. Për vendosjen e monizmit të plotë ai pati mbështetjen e bandave të George Soros” tha Berisha.

Gjithashtu ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve të ndërpresin marrëdhëniet me sistemin monist të Edi Ramës.

“Situata është më dramatike se kurrë në 30 vite, por zgjidhja është më shumë se kurrë në duart tona. Shembja e regjimit monist bëhet me mobilizim. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë që të organizohen që të shpëtojnë atdheun e tyre nga sistemi monist. I bëj thirrje miqve të Shqipërisë në Evropë dhe Shtete e Bashkuara të ndërpresin çdo mbështetje për regjimin monist të Edi Ramës”, tha Berisha.