AKTUALITET, 8 Shtator 2025, 11:56

Pistat e hetimit/ Detaje të reja: Viktima e dytë e atentatit mafioz sot në Shkodër, shoqërues i Eugen Vasos. Dinamika e ngjarjes

Pistat e hetimit/ Detaje të reja: Viktima e dytë e atentatit mafioz

Personi në foto është Liridon Kraja, shoqërues i Eugen Vasos. Ai mbeti i vrarë sot gjatë atentatit mafioz në mes të Shkodrës.

Dy të vrarë dhe 2 të plagosur është bilanci i një atentati që trondit Shkodrën mëngjesin e kësaj të hëne në një lokal pranë Bashkisë së qytetit. Shënjestër e atentatit ishte Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri).

Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga. 

Dinamika e atentatit

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç.

Ne sollem pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohet momenti kur të plagosurit futen me urgjencë në ambulancë për tu dërguar në spital, ndërkohë që një grua dëgjohet teksa qan me të madhe. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.

Në pranga u vu autori i dyshuar Ragip Gila, 29-vjeç. Në momentin kur qëlloi drejt lokalit, i riu ka qenë me një motor të zi, ndërsa dyshohet se ka vepruar i vetëm. Pasi ka derdhur breshërinë e plumbave, autori është larguar me motor, të cilin më pas e ka braktisur. Nën kërcënimin e armës, ka grabitur një mjet tip "BMW" ngjyrë gri dhe është larguar. 

Ky është ndër të paktat raste, kur në atentate të tilla të mirëmenduara, autori bie në pranga në kohë rekord. Dhe kjo, pasi plani nuk i shkoi si duhet. Autori, me makinën e grabitur, u aksidentua në dalje të qytetit të Shkodrës në tentativë për t’i ikur policisë. Burimet thanë se pas aksidentit, autori ka braktisur automjetin dhe ka tentuar që të ikë në këmbë drejt lumit Kir, por është kapur nga forcat Shqiponja. 

Ne sollem edhe pamjet nga momenti i arrestimit, ndërkohë që të riu iu sekuestrua edhe arma me të cilën kreu masakrën. 29-vjeçari sapo kishte dalë nga burgu, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar pasi u kap me 1 armë gjahu, 7 jelekë antiplumbë, municion luftarak, maska e paruke.

Kush është shënjestra dhe viktimat?

Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale. 

Në vitin 2023, u përmend në një dosje të SPAK si pjesë e grupit të Bajrave. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Ndërkohë, viktima Armando Pali nuk njihet si person me precedent penal. Më herët ai ka qenë anëtar i këshillit Bashkiak bashkë me Erogen Brajoviçin. Pali ka pnuar edhe në IMT-në e Shkodrës më herët, ndërsa viktima tjetër Liridon Kraja, është truproja e Brajoviç.

Pistat e hetimit

Një grup hetimor është ngritur për të zbardhur masakrën që i mori jetën 2 personave dhe la të plagosur 2 të tjerë. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por nuk përjashtohet pista e hakmarrjes duke marrë parasysh se Erogen Brajoviç është anëtar i fisit të Bajrave.

Nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me masakrën e Dobraçit në tetor të vitit 2024 dhe nëse është hakmarrje për këtë ngjarje, që përplasja mes grupit Bajri dhe Lici i mori jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Viktimë mbetën edhe një çift bashkëshortësh që lëviznin pranë.

Ngjarja vjen gjithashtu pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 4 shtatorit në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës.

Pistat e hetimit/ Detaje të reja: Viktima e dytë e atentatit mafioz