NË FOKUS, 21 Prill 2022, 23:31

Përse jeni dashuruar me Orbanin, ai është autokrat si Rama?! Sali Berisha: Është kundër Soros-it, ka bërë betejë të jashtëzakonshme

Përse jeni dashuruar me Orbanin, ai është autokrat si Rama?! Sali
Foto ilustrim

Sali Berisha thotë se Viktor Orban ka bërë "betejë të jashtëzakonshme" me George Soros dhe kjo është arsye kryesore pse ai ka simpati për kryeministrin hungarez. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, analistët e pyetën Berishën se si ai mund të frymëzohet nga një politikan që ngjason me mënyrën si Berisha e pikturon Edi Ramën dhe regjimin e tij. 

Pjesë nga biseda në studio: 

Ylli Rakipi: Çfarë ju frymëzon ju te figura e Viktor Orban? Se ju e lavdëruat atë dhe nga ana tjetër thatë gjëra negative për Vuçiç, ndërkohë që janë të dy autokratë. 

Sali Berisha: Midis tij dhe Geroge Soros, ka një betejë ndër më të jashtëzakonshmet. Në vitin 2014, kam qenë në vizitë dhe aty gjeta një numër zyrtarësh të shpallur non-grata për korrupsion, tërësisht për shkak të ndikimit patologjik të Soros. Por, Viktor Orban i qëndroi në mënyrën më të fuqishme George Soros.

Ylli Rakipi: Kjo është dashuria juaj për Orbanin?

Sali Berisha: Jo vetëm kaq. Ai ka qenë një mik i Kosovës. Të them ty, në raste të caktuara, mund t’ju duket çudi, kur i kemi kërkuar mbështetje, ka ndryshuar edhe qëndime të formuluara më parë për këtë çështje. Ai është dhe mbetet një mik i PD.

Andi Bushati: Një autokrat që blen mediat, dhunon opozitën. Unë them, që të kesh model Orbanin dhe të luftosh Edi Ramën në Shqipëri, janë të papajtueshme. Janë i njëjti model i qeverisjes me oligarkë, i shtypjes së shoqërisë civile. Është kundër Soros, por nuk mjafton të sublimohet për këtë.

Sali Berisha: Është një nga reformatorët më të mëdhenj sot. Ra kovidi, po i iknin mjekët dhe infermierët. Me një shpejtësi të rrufeshme ndryshoi gjithçka. Nga ana tjetër, është përpjekur të mbajë një linjë më të butë ndaj rusëve. Por, nuk është i vetmi në Europë.

Andi Bushati: Flas si model demokratik.

Sali Berisha: Puna e modelit demokratik, siç po e shohim…

Andi Bushati: Aaaa atëherë mirë e kemi dhe ne këtë këtu… (Ramën).

Sali Berisha: Polarizimet, unë jam për të drejtat e njeriut, por të themi se ai ndoqi një politikë të ndryshme ndaj emigracionit dhe këtu filloi çarja me të.

Andi Bushati: Opozita në Hungari ka dalë në TV në këto zgjedhje, sa dilte Servet Pëllumbi në kohën e Berishës së parë...

Sali Berisha: NUk e di një gjë të tillë. Përkundrazi, opozita ishte me shpresë në këto zgjedhje. Habia e rezultatit, ishte se doli rezultat me diferencë 16%.

Andi Bushati: Ku mungon demokracia fiton pushteti.

Sali Berisha: Opozita mori ekstremin e majtë dhe të djathtë. Kështu largon elektoratin.