NË FOKUS, 4 Prill 2022, 20:05

Analiza/ Fitorja e Viktor Orbanit dhe përballja me izolimin jashtë vendit

Analiza/ Fitorja e Viktor Orbanit dhe përballja me izolimin jashtë

Në një kohë kur Kryeministri nacionalist i Hungarisë Viktor Orban po përgatitet të vazhdojë të qeverisë vendin me qasjen e tij autokratike edhe për katër vjet të tjerë, ai po përballet me një izolim gjithnjë e më të madh nga vende të tjera. Shkelja e standardeve demokratike nga ana e tij dhe qasja ndaj luftës në Ukrainë, ka shqetësuar Bashkimit Evropian dhe vende të tjera.

Të dielën, zoti Orban u tha mbështetësve të partisë së tij të djathtë “Fidesz” se fitorja dërrmuese në zgjedhjet kombëtare të vendit ishte një mesazh për Evropën se modeli i tij i “demokracisë jo-liberale” ishte një profeci për të ardhmen e kontinentit.

“E gjithë bota e ka parë sonte në Budapest se politika kristiandemokrate, politika konservatore qytetare dhe ajo patriotike kanë fituar. Ne po i themi Evropës se kjo nuk është e kaluara, kjo është e ardhmja, e ardhmja jonë e përbashkët evropiane”, tha zoti Orban.

Por megjithë fitoren, zoti Orban po përballet tashmë me një trysni të madhe nga Bashkimi Evropian për të ndryshuar qasjen e tij ndaj korrupsionit, të drejtave të pakicave dhe lirisë së medias. Nga ana tjetër lufta në Ukrainën fqinje si dhe lidhjet e tij me Presidentin rus Vladimir Putin kanë larguar edhe disa nga aleatët e tij më të afërt.

Gjatë fushatës zgjedhore të Hungarisë, një koalicion i partive opozitare me qasje perëndimore bënë thirrje që vendi të mbështeste Kievin e të vepronte në një hap me partnerët e saj në BE dhe NATO.

Por zoti Orban, i konsideruar si aleati më i ngushtë i Vladimir Putinit në BE, këmbënguli që Hungaria të qëndrojë neutrale e të mbajë lidhjet e saj të ngushta ekonomike me Moskën, përfshirë vazhdimin e importit të gazit dhe naftës ruse me kushte të favorshme.

Polonia, një vend që gjithashtu drejtohet nga një qeveri populiste e krahut të djathtë, është partneri më besnik i Hungarisë në Bashkimin Evropian. Por gjatë një interviste për radion publike polake një javë përpara zgjedhjeve në Hungari, udhëheqësi i partisë në pushtet dhe aleati i zotit Orban, Jaroslaw Kaczynski, tha se ishte i pakënaqur me qëndrimin e këtij të fundit ndaj Rusisë.

Zgjedhjet në Hungari pritej të reflektonin rezultatin më të ngushtë që prej vitit 2010 kur zoti Orban mori pushtetin, kjo falë gjashtë partive kryesore opozitare të vendit, të cilat lanë mënjanë dallimet e tyre ideologjike për të formuar një front të bashkuar kundër partisë ‘Fidesz”.

Por ndërsa janë numëruar 99% të votave në zgjedhjet për parlamentin me 199, vende rezulton se partia “Fidesz” e zotit Orban ka marrë 53% të votave ndërsa koalicioni i opozitës, 35%, duke mos i përmbushur pritshmëritë për një rezultat më të mirë.

Edit Zgut, një eksperte e çështjeve politike në Akademinë polake të Shkencave në Varshavë, thotë se një fitore e qartë për zotin Orban do t’i jepte atij mundësinë të vazhdonte të qeveriste me stilin e tij autokratik, duke mënjanuar opozitën e duke kapur fusha të tjera të ekonomisë.

“Hungaria duket se ka arritur një pikë pa kthim”, tha ajo. “Mësimi kryesor është se fusha e lojës kishte anuar aq shumë, sa ishte bërë pothuajse e pamundur që Fidesz-i të zëvendësohej në zgjedhje”./AP