NË FOKUS, 29 Mars 2022, 19:38

Gazetari tregon lidhjen e Alqi Bllakos me inceneratorin e Tiranës

Gazetari tregon lidhjen e Alqi Bllakos me inceneratorin e Tiranës

Gazetari i "Birn", Besar Likmeta tha se deputeti socialist Alqi Bllako nuk është i përfshirë vetëm në aferën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Në emisionin ‘Sot’ në Euronews Albania, Likmeta shpjegoi se si Bllako ka përdorur agjencinë e drejtuar prej tij për të shtuar qytetin e Durrësit në një kontratë që i është shtuar inceneratorit të Tiranës.

“Ky (korrupsioni në inceneratorin e Fierit), nuk është i vetmi akt i z. Bllako për incenaratorët. Bllako ka luajtur rol kyç në shtimin e qytetit të Durrësit të një kontratë të madhe që i është shtuar inceneratorit të Tiranës, me veprimet dhe studimin e tregut të bërë nga agjencia që ai drejtonte”, tha gazetari.

Për Likmetën, fakti që të njëjtat kompani të përfshira në aferën e inceneratorëve, siç është edhe rasti i inceneratorit të Tiranës, nuk sekuestrohen iu jep mundësi atyre të fshehin provat e të transferojnë paratë jashtë vendit.

Ish-ministri Lefter Koka dhe deputeti socialist Alqi Bllako dyshohet se kanë falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Ata ia kanë paraqitur qeverisë sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall. SPAK ka provuar se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë. Ky falsifikim i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 140 mijë eurosh.