NË FOKUS, 20 Korrik 2022, 22:31

Përplasja e fortë e Ramës me Top Channel, kush ka të drejtë? Televizioni i qëndron pretendimit për kërkesën "30 mln dollarë" nga hakerat që sulmuan Shqipërinë

Përplasja e fortë e Ramës me Top Channel, kush ka të

Një sulm kibernetik që ka rrezikuar seriozisht sistemet e të dhënave të shtetit shqiptar, ka krijur dyshime të forta dhe aludime për arsyet dhe entitete që mund të qëndrojnë pas tij. 

Ditën e sotme televizioni Top Channel ka pretenduar se sipas burimeve të tyre, një mesazh i ka shkuar AKSHI-t ku hakerat që sulmuan sistemet kanë kërkuar 30 milionë dollarë në bitcoin. 

"Por mesazhi i dytë ngre dyshime të tjera. Burimet i thanë Top Channel se në një mesazh të dytë ka shkuar pranë AKSHI-t ku janë kërkuar si shpërblim 30 milionë dollarë në bitcoin", thuhej në shkrimin e Top Channel. 

Kryeministri Rama e sulmoi shumë ashpër këtë televizion, duke i konsideruar shpifje dhe përhapje paniku përmbajtjet e shkrimit. 

Top Channel e modifikoi artikullin, duke i ndryshuar titullin, që ngre pikëpyetje nëse sulmi ka qenë nga Irani dhe duke i hequr kritikat për e-albania dhe punën e tyre që e cilësonin të dobët.

"Identiteti i hakerave nuk është aspak një alibi për faktin që e-Albania kishte një sistem mbrojtës aq të dobët sa u shemb kaq lehtë", thuhej në shkrimin origjinal. 

Por televizioni duket se i qëndron pretendimit se hakerat kanë kërkuar para, por në versionin e dytë në vend të dollarëve thuhet 30 milionë euro. Pikërisht për këtë lindi edhe përplasja me Ramën.

"Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”, shkruante Rama.

Sulmi kibernetik duket se e ka trazuar seriozisht qeverinë dhe ambientin mediatik. Ngjashëm me Top Channel, edhe media të tjera i zhdukën kritikat për e-albania.