TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në ditën e tretë të përhapjes së vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit, një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes fluturoi mbi ishull për të bërë atë që kryeministri Edi Rama e quajti “Rikonjicion nga ajri”.
Në terren, dhjetra ushtarakë, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe Agjencisë së Bregdetit po përballen me flakët të pajisur me lopata dhe fikëse zjarri dore, ndërsa aksioni vështirësohet nga shpërthimi i vazhdueshëm i municioneve.
Një video e helikopterit me kreun e emergjencave civile, Haki Çako në bord u postua në faqen në Facebook të kryeministrit, si një përgjigje ndaj kritikave për mungesën e një ndërhyrjeje nga ajri për vënien në kontroll të flakëve në ishullin e Sazanit.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes këmbëngul se ndërhyrja nga ajri nuk është e nevojshme.
“Ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka, duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre,” tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Ministri Peleshi e përforcoi mesazhin në një bisedë telefonike me BIRN.
“Për shkak të humusit që digjet nga brenda, hedhja e ujit nga ajri nuk është sipas ekspertëve një zgjidhje për situatën në Sazan,” tha ministri.
“Nuk është se nuk kemi gatishmëri,” shtoi ai, ndërsa tha se nuk do të përdorte helikopter “për të kënaqur Saliun”.
Përmes një investigimi të publikuar më 31 maj, BIRN zbuloi se flota e shtrenjtë e helikopterëve ushtarakë “Cougar”, të cilët mbajnë peshën e emergjencave civile të vendit, ndodhet aktualisht jashtë funksionit për shkak të problemeve me kontratat e mirëmbajtjes.
Në bisedën telefonike me BIRN, ministri Peleshi i pranoi pjesërisht problemet me kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve “Cougar”, të cilët mund të përdoreshin në këto raste.
“Disa nga kontratat janë nonperforming,” tha Peleshi, duke veçuar si “më skandaloze” rastin e helikopterit që bëri ulje të detyruar në Itali më 29 korrik 2019.
“Mund të ishin bërë kontrata më të mira, nuk kemi asgjë për të fshehur,” shtoi ai.
Ministri i Mbrojtjes tha gjithashtu se Shqipëria kishte “një flotë modeste” dhe theksoi se vendi do t’i kërkonte ndihmë Mekanizmit të Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, siç ishte bërë edhe me emergjencën e shkaktuar nga zjarret vitin e kaluar.
Peleshi tha se këtë mekanizëm e përdornin edhe vende që kanë një buxhet mbrojtjeje “pothuaj sa GDP-ja jonë”.
Më herët, kryeministri Edi Rama ironizoi akuzat se vendi nuk kishte gatishmëri për të ndërhyrë ndaj zjarreve nga ajri dhe e relativizoi problemin me situata të ngjashme në Athinë, Turqi apo Spanjë.
“Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikopterë me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë,” shkroi Rama. /BIRN