NË FOKUS, 1 Korrik 2022, 12:45

Ndërtimi shënoi rritje rekord me 25.5% në tremujorin e parë. Ndërsa për qeverinë është sektori më “hallexhi”?

Ndërtimi shënoi rritje rekord me 25.5% në tremujorin  e

Sektori i ndërtimit shënoi ritmin më të lartë të rritjes së prodhimit bruto në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas shifrave të publikuara të enjten nga INSTAT, prodhimi i sektorit të ndërtimit u rrit me 25.49% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ishte rritja e dytë më e lartë tremujore në të paktën shtatë vitet e fundit.

Një tjetër rritje më e lartë ishte shënuar po në tremujorin e dytë 2021, me 40.82%. Por, ajo rritje mund t’i atribuohet në një masë të madhe efektit të bazës krahasuese, sepse në tremujorin e dytë 2020 ekonomia vuajti efektet e mbylljes për shkak të pandemisë.

Ndërtimi është njëkohësisht edhe kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike të tremujorit të parë të vitit, me 1.95 pikë përqindje ose afërsisht një të tretën e rritjes së PBB-së për këtë periudhë.

Ndërkohë që INSTAT publikoi raportin statistikor për Prodhimin e Brendshëm Bruto, në Kuvend mazhoranca po kalonte aktin normative për kompensimin e rreth 300 ndërmarrjeve kontraktore të punëve publike me një fond prej 6 miliardë Lekësh, për rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Kontraktorët do të kompensohen në një masë që varion nga 5% deri në 30%. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e quajti këtë akt si një emergjencë kombëtare, që synon të zhbllokojë projektet e investimeve publike.

Vendimi në vetvete mund të jetë i arsyeshëm dhe ndoshta i nevojshëm për vazhdimësinë e projekteve të investimit. Por, nga ana tjetër, qeveria shqiptare duket se nuk tregon një ndjeshmëri proporcionale ndaj subjekteve që po vuajnë edhe më shumë nga rritja e çmimeve.

Të gjithë konsumatorët dhe bizneset po përballen me një rritje të lartë të çmimit të karburantit, por qeveria vazhdon të refuzojë të aplikojë, qoftë edhe përkohësisht, ulje të ngarkesës fiskale të produktit, për të mundësuar p.sh. ulje të çmimeve të karburantit.

E vetmja “zgjidhje” që shteti i ka dhënë konsumatorëve është krijimi i bordeve për kontrollin e çmimeve, që, në fakt, po ndikojnë negativisht konkurrencën dhe po dëmtojnë më shumë kompanitë më të vogla.

Një kosto tjetër e shtuar është rritja e çmimit të energjisë elektrike: nëse qeveria ka subvencionuar çmimin për konsumatorët dhe biznesin e vogël, bizneset më të mëdha, po përballen me çmime të rritura. Shtrenjtimi i energjisë dhe karburantit po përcillet në kostot e prodhimit dhe në çmimin final të produkteve, duke bërë që barrën ta paguajnë të gjitha shqiptarët: edhe ata që nuk kanë makinë, edhe ata të cilëve nuk iu është rritur çmimi i energjisë elektrike. Kujtojmë që çmimet e energjisë ndikojnë gjerësisht në ekonomi, edhe në raport me çmimet e ndërtimit.

Banka e Shqipërisë dhe institucionet partnere, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, kanë bërë thirrje që të ardhurat shtesë të siguruara në buxhet nga rritja e çmimeve të përdoren, të paktën pjesërisht, për të zbutur efektet e inflacionit në shtresat më të varfra të shoqërisë.

Duke parë statistikat fiskale të qeverisë, duket se hapësirat për të rritur mbështetjen për ekonominë nuk mungojnë. Për 5-mujorin, buxheti i shtetit rezultonte me një suficit prej 20 miliardë Lekësh, niveli më i lartë historik. Një pjesë e kësaj teprice mund të përdorej për të dhënë më shumë mbështetje për shtresat e brishta apo për t’i dhënë frymëmarrje sektorit privat dhe për të lehtësuar presionet inflacioniste që vijnë nga rritja e kostove të prodhimit.

Deri tani, e vetmja masë mbështetëse direkte që ka aplikuar qeveria është një kompensim mujor prej 3 mijë Lekësh për pensionistët dhe përfituesit e tjerë nga skemat e përkrahjes sociale, me kusht që të ardhurat e tyre mujore të jenë më pak se gjysma e pagës minimale. Sipas Ministres së Financave, një pensionist që merr më shumë se 16 mijë Lekë në muaj teknikisht nuk quhet i varfër dhe qeveria nuk e ka parë të arsyeshme ta kompensojë për rritjen e çmimeve.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave treguan madje se shpenzimet për ndihmën ekonomike shënuan rënie vjetore me 2% për 5-mujorin e parë të vitit 2022.

Në muajin maj, inflacioni arriti nivelin prej 6.7%, më i lartë në më shumë se 20 vjet. Ndërkohë, inflacioni i produkteve ushqimore arriti në 11.4%. Çmimi i vajit shënoi rritje vjetore me 29%, çmimi i bukës me 19% dhe i produkteve të bulmetit me 18%. Për familjet më të varfra, këto shifra kanë një domethënie më të madhe sesa inflacioni mesatar në ekonomi, duke pasur parasysh se në strukturën e tyre të shpenzimeve ushqimi ka një peshë shumë më të lartë.

Një tjetër sinjal shqetësues nga raporti i PBB-së erdhi nga sektori i bujqësisë, që nuk regjistroi pothuajse asnjë rritje në raport me një vit më parë. Ekspertët mendojnë se heqja e rimbursimit të TVSH-së për prodhimin e fermerëve ka dëmtuar edhe më shumë një sektor që vuan konkurrueshmëria e ulët, për shkak të parcelizimit, aksesit të pakët në financim, mungesës së fuqisë punëtore, etj. Situata duket veçanërisht e vështirë në sektorin e blegtorisë, që po shënon rënie të numrit të krerëve dhe prodhimit.

Në kushtet e krijimit të hapësirave më të mëdha fiskale, mbështetja e prodhimit bujqësor mund të kishte marrë më shumë prioritet, përtej skemave ekzistuese.

Pensionistët, individët me të ardhura të ulëta, fermerët dhe bizneset prodhuese po mbështeten pak ose aspak; firmat e ndërtimit, një pjesë e të cilave kanë siguruar fitime të mëdha ndër vite nga kontratat publike, do të kompensohen deri në 30% për rritjen e çmimeve. Politika të tilla shtojnë pikëpyetjet rreth një modeli ekonomik që po nxit edhe më shumë përfitimet afatshkurtra, pasurimin me tenderë, shpëdorimin e hapësirave dhe thellimin e pabarazisë në shoqëri.

Të fundit në Europë në të ardhurat për frymë, hendeku me BE-në i njëjtë prej një dekade

Duke komentuar rritjen ekonomike të tremujorit I, përfaqësuesit e qeverisë vendosën theksin te fakti se rritja për Shqipërinë është më e lartë në raport me rritjen mesatare të vendeve të Bashkimit Europian (5.97% ndaj 5.6%).

Përtej strukturës së rritjes ekonomike, që ngre dyshime serioze rreth modelit të një rritjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë, një fakt thelbësor është se mirëqenia e shqiptarëve, në terma të të ardhurave për frymë, prej të paktën një dekade nuk po i afrohet aspak niveleve të BE-së. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në 2021 ishin sa 32% e mesatares së BE-së (niveli më i ulët në Europë) dhe ky raport ka ngelur pothuajse i paqëndrueshëm në dekadën e fundit.

Ndërtimi shënoi rritje rekord me 25.5% në tremujorin  e