NË FOKUS, 4 Korrik 2022, 21:47

Mustafa Nano: Harmonia fetare ka ekzistuar sepse shqiptarët nuk e kanë çarë kokën për fenë, por sot është e rrezikuar!

Mustafa Nano: Harmonia fetare ka ekzistuar sepse shqiptarët nuk e kanë
Mustafa Nano në TPZ

Mustafa Nano ka folur për arsyet pse shpesh polemizon, për çështje që lidhen me fenë dhe praktikimin e besimeve fetare në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gjatë një interviste për Ylli Rakipin, Nano shpjegoi se harmonia fetare në Shqipëri nuk është është në nivelet që propagandohet, madje ai deklaroi se konfliktet fetare që ekzitojnë në botë, po përcillen edhe në Shqipëri. Ai shpjegoi se çfarë e shqetëson konkretisht te mënyra si praktikohen besimet fetare në Shqipëri, veçanërisht manifestimi në mjediset publike. 

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: Shfaqeni shpesh si një polemist për çështje të fesë. Çfarë ju shqetëson ju konkretisht te mënyra si praktikohen besimet fetare në Shqipëri?

Mustafa Nano: Së pari, më shqetëson fakti dhe ky është qëndrim prej ateisti, që ideologji të epokës së bronzit, sepse kristianizmi dhe islami janë ideologji të kohës së bronzit, fabulat që tregohen aty, janë marrë nga testament i vjetër. Jam pak i çuditur se si ka njerëz në këtë botë, që besojnë në mënyrë fanatike, i dedikojnë edhe jetën besimit tek dogma të tilla që janë shpikur nga bujq apo nga blegtorë, të 6-7 mijë viteve më parë.
Librat e shenjtë kush i lexon, kuptohet që janë libra, por jo të shenjtë, Bibla dhe Kurani. Janë libra të bëra në një kohë të caktuar. Kush ka një vizion historik, e kupton që është një libër i shekullit të parë, sepse aty flitet për skllavërinë, janë libra mizogjenë, sepse e tillë ishte shoqëria patriarkale.
Njerëzit kanë nevojë të besojnë pavarësisht formimit të tyre akademik, pavarësisht formimit të tyre. Një nga kombet që beson më shumë janë amerikanët.
Shoqëria amerikanë është shumë e fetarizuar. Bushi bënte seancë lutjesh... Atje nuk mund të zgjidhet kurrë një ateist president, mund të zgjidhet një gay apo transgender, por jo një ateist.
Në Europë ka një lloj laicizmi dhe një lloj zbehje të sentimenteve fetare, por nuk e lidh me emancipimin, por me procese historike. Feja sido të arsimohemi dhe sado të arsimohemi, feja do të mbetet. Njeriu ka nevojë të besojë në një qenie supernatyrale që ka në dorë jetën tonë dhe ka krijuar parajsën që na pret atje.

Ylli Rakipi: Ka njerëz që thonë se Mustafa Nano bëhet kontrovers, për t’u dukur interesant.

Mustafa Nano: Është një akuzë nëpërmjet të cilës mund të skualifikosh çdo njeri që shpreh një qëndrim. Çfarë interesante, unë kam, madje besimtarët duhet të më heqin kapelen mua. Unë flas për disa gjëra për të cilat pretendoj se kam njëfarë njohje dhe vë re se këtu ka një lloj dembelizmi për tu marrë me të tilla gjëra. Jam thelluar, kam harxhuar edhe kohë nga jeta ime, kam lexuar edhe libra, leximin e kam përjetuar tamam si humbje kohe, e megjithatë kam lexuar, që të marrë vesh pak më shumë në lidhje me fetë, në mënyrë që të bëj këtë që po bëj, debatin publik.
Nuk është një gjë që e bëj për tu dukur interesant, por e bëj sepse flas për disa gjëra që pretendoj se i njoh. Po flas për disa gjëra për të cilat jam i shqëtësuar. Pse? Jam i shqetësuar sepse së pari, si shqiptar. Sepse kombi shqiptar ka natyrë shumë fetare. Ne jemi mburrur, që marrëdhënia mes feve kanë qenë sportive dhe harmonike dhe në pjesë të caktuara të historisë kanë qenë vërtetë kështu, mirëpo sot, në shekullin e 21, për shkak të një lloj revanshi që kanë marrë fe të caktuara dhe efektit pasqyrë, fe të tjera fillojnë të mobilizohen, duke krijuar një lloj konflikti fetar, që nuk dua që ky konflikt fetar që është krijuar në botë të përcillet këtu. Por, shoh që po përcillet.  Ekziston një konflikt fetar.

Ylli Rakipi: Pse na pëlqen ne dhe lidershipeve politike të themi se harmonia fetare është jashtëzakonisht e madhe?

Mustafa Nano: Është një broçkull kjo. Nuk është një e dhënë njëherë e mirë. Është një arritje që duhet mbrojtur, sepse është gjëja më e thyeshme në botë. Këtu ka ekzistuar bashkëjetesa pa probleme sepse shqiptarët nuk kanë çarë kokë për fe. Kanë qenë myslimanë dhe kristianë nominalë, kanë patur emrin të tillë, por nuk kanë ekzistuar. Kur të lindin sentimentet e forta fetare, historia e ka treguar dhe faktet tregojnë, qe bashkëjetesa nuk do të jetë më një gjë të cilës mund ti gëzohemi, është e rrezikuar. Jam i shqetësuar për këtë, kur shoh myslimanë që tundin flamurin e Gylenit apo të Erdoganit dhe nuk e çajnë kokën fare për flamurin shqiptar dhe Shqipërinë. Jam i shqetësuar nga manifestimi i besimit fetar në mjedise publike, sepse merr një goditje laicizmi apo shekullarizmi. Janë disa dukuri të tilla që më shqetësojnë. Ndaj unë flas dhe do të flas edhe në të ardhmen.

Ylli Rakipi: A shihni ju të mira te feja?

Mustafa Nano: Njeriu ka nevojë të besojë diku dhe fetë do të ekzistojnë gjithmonë. Mbi bazën e kësaj që thashë, mendoj se fetë janë absurde por jo të rrezikshme. Ato bëhen të rrezikshme herë pas herë, por jo domosdoshmërisht janë të rrezikshme. Për mua, një botë pa fe dhe këtë nuk e thonë ateistët por unë e them, një botë pa fe, do të ishte ndoshta më e rrezikshme dhe më e mbrapshtë sesa një botë me fe.
Feja një pjesë të njerëzve i disiplinon. Besimtarët janë më të mirë sesa do të ishin pa qenë besimtarë. Shumica e besimtarëve myslimanë pa besimin te islami do të ishin më të këqinj edhe për shoqërinë edhe familjen. Por, fetë mund të bëhen të rrezikshme, sepse fetë janë ashtu siç duan besimtarët të jenë.