TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edi Rama ka shënjestruar televizionin "Top Channel", duke konsideruar si shpifje një lajm të tyre, ku thuhej se hakerat që kanë sulmuar sistemet kompjuterike të shtetit shqiptar, kërkojnë 30 milionë dollarë dhe ku kritikohej e-albania.
Kreu i qeverisë ka qenë shumë i ashpër pas këtij lajmi, duke kërkuar që ky televizion të ndalë menjëherë ato që ai i quan "shpifjet dhe përhapjen e panikut".
“Lajmet për një gjobë 30 milionë dollarë në bitcoin, nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!
Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”, shkruan Rama.
Top Channel ka modifikuar shkrimin, duke i ndryshuar titullin në "Irani sulmoi Shqipërinë? Mesazhi politik pas goditjes së shërbimeve të e-Albania", por përmend sërish dyshimet për kërkesën e 30 milionë dollarëve nga hakerat. Nga shkrimi janë hequr edhe kritikat për e-albania. Në një version të mëparshëm në shkrimin e Top Channel thuhej "Identiteti i hakerave nuk është aspak një alibi për faktin që e-Albania kishte një sistem mbrojtës aq të dobët sa u shemb kaq lehtë".
Sipas Ramës, "AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj ,po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante".