TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë publike masat e marra ndaj personave përgjegjës për shkeljet ligjore të konstatuara në administrimin e votës së Diasporës. Përmes një deklarate të zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, PD denoncon parregullsi të rënda të konstatuara në verifikimin e zarfeve të ardhura nga jashtë.
Sipas PD-së, një numër i konsiderueshëm i fletëve të votimit të ardhura me postë nga operatori DHL nuk përmbajnë nënshkrimet e detyrueshme të votuesve. “Në vend të nënshkrimeve janë konstatuar viza, pika, iniciale apo simbole të tjera pa vlerë identifikuese, madje dhe raste kur mungon çdo formë nënshkrimi,” tha Vangjeli.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe fletë dorëzimi të mbushura me të njëjtin dorëshkrim, duke ngritur dyshime serioze për autenticitetin e procesit. Sipas Kodit Zgjedhor, votimi me postë duhet të bëhet individualisht, në adresën e regjistruar në KQZ dhe me nënshkrim të votuesit pas paraqitjes së dokumentit të identifikimit.
“Vetë të dhënat e siguruara nga KQZ tregojnë se këto kushte nuk janë përmbushur në një numër shumë të madh rastesh, duke i bërë këto vota të pavlefshme dhe duke cënuar integritetin e procesit të Diasporës,” deklaron PD.
Burime nga KQZ kanë pohuar se nuk do të kryhet pagesa ndaj DHL për zarfe që nuk plotësojnë kërkesat ligjore, por PD ngre një sërë pyetjesh mbi veprimet e KQZ:
Pse verifikimi i nënshkrimeve nuk u bë më herët, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të PD-së?
Pse nuk u bë publike lista e dorëzimeve për çdo shtet të Diasporës që prej muajit maj?
Pse provat nga shtetet me numër të lartë votuesish u dorëzuan vetëm pasi KAS kishte rrëzuar shumicën e ankimimeve të PD-së?
Sipas PD-së, KQZ dhe DHL kanë refuzuar për javë të tëra të bëjnë transparente dokumentacionin bazë të procesit, duke penguar aksesin e subjekteve zgjedhore. Tani që KQZ deklaron mospagesën ndaj DHL për shkeljet e kontratës, PD kërkon që institucioni të japë shpjegime të qarta për masat e ndërmarra dhe për mosveprimet e deritanishme.
“Transparenca dhe integriteti i zgjedhjeve janë themel i demokracisë dhe përgjegjësia për garantimin e tyre bie mbi KQZ,” përfundon deklarata e Partisë Demokratike.