AKTUALITET, 21 Qershor 2025, 11:04

Testime me matës/ Policia e Lezhës, kontrolle për nivelin e zhurmave në Shëngjin

Testime me matës/ Policia e Lezhës, kontrolle për nivelin e

Policia e Lezhës ka vijuar kontrollet për nivelin e zhurmave në zonën turistike të Shëngjinit.

Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.

Policia ka nisur gjithashtu zbatimin e detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Lezhë, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Shëngjinit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës.

Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje , duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.