TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi vijoi të ngulmojë në angazhimin e tij për transport publik falas pas 14 majit. Këtë të shtunë, Këlliçi zhvilloi me banorë të njësisë nr.7 në kryeqytet. Këlliçi iu përgjigj reagimeve që kërkojnë ta cilësojnë si të parealizueshëm këtë projekt. Ai tha deri më tani ka pasur 430 milionë euro për inceneratorët fantazmë. E nga ana tjetër ai vuri në dyshim mungesën e mundësisë për t’u ofruar shërbim 200 mijë qytetarëve në ditë.
“Kur paske ti 430 milionë euro për inceneratorë fantazmë, si ka mundësi që nuk ke ti 6.8% të buxhetit për 200 mijë qytetarë të Tiranës në ditë. Për pensionistë, për studentë, për familjet në nevojë. Për ata që janë me ndihmë ekonomike, për ata që janë të pamundur. Për ata që marrin dy linja urbane për të shkuar në punë që paguajnë 800 lekë një rrugë dhe 800 lekë rrugën e kthimit. 1600 lekë në ditë për të marrë një rrogë 400 mijë lekë në muaj. E që në fund të muajit i shkon 10 deri në 15% kostoja e autobusit”-u shpreh Këlliçi.
Belind Këlliçi shtoi se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ka pasur prioritet hallet e qytetarëve dhe uljen e kostove të jetesës për ta. Ai shtoi se Veliaj tashmë është në panik nga angazhimi për transport publik falas. Kjo pasi sipas kandidatit demokrat ai e di që do të humbë në 14 maj.
“Sigurisht kur nuk ke prioritet qytetarët, uljen e kostos së jetesës për ta, kjo duket e pamundur. Kur nuk jeton mes qytetarëve, sigurisht kjo duket e pamundur. Ndaj paniku që e ka kapur Erion Veliajn, pikë së pari nga bashkëpunimi ynë dhe nga koalicioni jonë. Së dyti nga programi ynë që çdo ditë po shpaloset para qytetarëve, është një panik që është më së i vërtete, sepse ai e di fare mirë që në 14 maj do të humbe”-u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Por, nuk do të jetë vetëm transporti falas. Këlliçi u shpreh para qytetarëve të Njësisë Nr.7, se nga mirëadministrimi i parave, do të mundësohet edhe investimi 5 milionë dollarë në vit për modernizimin e këtij shërbimi.
“Jo vetëm i kemi lekët 16.5 milionë euro për të subencionuar biletën, por ka mjaftueshëm lekë që do investojmë dhe 5 milionë dollarë në vit për të modernizuar flotën e autobusëve. Për të mos parë më këto aksidentet që ndodhin njëherë në dy ditë me autobusët në Tiranë. Për të investuar në dixhitalizimin e të gjithë rrjetit. Për të investuar në stacionet e autobuzëve. Paratë janë aty, ma besoni janë aty, e gjitha është çështje vullneti”-u shpreh Këlliçi.