AKTUALITET, 1 Prill 2023, 14:47

Shqiptarët rishfaqen sërish në Ekuador, vritet ortaku i Dritan Gjikës, i përfshirë në çështjen e lidhjes së Presidentit me mafien shqiptare

Shqiptarët rishfaqen sërish në Ekuador, vritet ortaku i Dritan

Mafia shqiptare sërish në fokus të mediave ekuadoriane. Një person që ishte nën hetim nga Prokuroria në një komplot që përfshin kunatin e presidentit të vendit është gjetur i vdekur.

Viktima Rubén Cherres sipas hetimeve ishte operatori i dyshuar i një grupi kriminal me origjinë shqiptare me bazë në Ekuador dhe ishte i lidhur me Dritan Gjikën, një shtetas shqiptar me banim në Guayaquil. Që nga viti 2014, të dy kanë aksione të përbashkëta të 12 kompanive, shumica e lidhur me biznesin e pasurive të paluajtshme, sipas të dhënave. Tetë nga këto kompani u krijuan në një ditë të vetme, më 17 qershor 2021. Të gjitha këto janë të vendosura në një zyrë në ndërtesën Sky, që ndodhet në veri të Guayaquil.

Emri i Cherres figuron edhe në çështjen e përvetësimit për të cilin Presidenti Guillermo Lasso do të shkarkohet.

Si policia ashtu edhe ministri i Brendshëm ekuadorian, Juan Zapata, konfirmuan zbulimin dhe identitetin e viktimës në Tëitter. Bashkë me të ishin edhe tre viktima të tjera emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur. Trupat e tyre u gjetën në qytetin bregdetar të Punta Blanca, rreth 100 kilometra nga Guayaquil.

Prokuroria kishte rihapur hetimin ndaj viktimës në muajin shkurt, pas disa zbulimeve gazetareske ku u raportua se Cherres kishte kontakte me kunatin e presidentit ekuadorian dhe, përveç kësaj, kishte qenë objekt i përgjimit nga policia mes Qershor 2021 dhe Janar 2022 për lidhjet e tij me mafien shqiptare me bazë në Ekuador.