AKTUALITET, 1 Prill 2023, 15:42

14 maji/ Luçiano Boçi bashkon opozitën në garën për Elbasanin, 10 parti firmosin koalicionin: Betejë për qytetarët!

14 maji/ Luçiano Boçi bashkon opozitën në garën

Kandidati i PD për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi bashkon opozitën në Elbasan. Boçi ka arritur të marrë konsensusin e aktorëve opozitarë në bashkinë e Elbasanit në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.

Në një deklaratë të përbashkët me përfaqësuesit e forcave opozitare Boçi shprehu bindjen se ky konsensus i gjerë do ta çojë opozitën drejt një fitoreje të sigurt në zgjedhjet vendore që janë më pak se 2 muaj larg.

“Kjo marrëveshje është një moment solemn dhe frymëzues në garën time për Bashkinë e Elbasanit. Më vjen mirë që edhe njëherë Elbasani tregoi që është qytet i qyteteve, siç e quaj unë. Ne reflektojmë gjithnjë një harmoni njerëzore mes nesh dhe sot po tregojmë edhe një harmoni politike, e cila reflekton bashkimin e qytetarëve. Kjo nuk është një betejë për Luçiano Boçin por është një betejë për qytetarët”, deklaroi Luçiano Boçi.

Pjesë e marrëveshjes së nënshkruar sot forcat që mbështetën kandidaturën e tij janë: Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia për Europianizim dhe Integrim, Aleanca Liberale e Djathtë, Balli Kombëtar.

"Krenar dhe besimplotë se marrëveshja me një spektër të gjerë të partive opozitare reflekton gjithë nevojën dhe pritshmërinë e qytetarëve për ndryshim!
Më vjen mirë që edhe njëherë Elbasani tregoi që është qytet i qyteteve, siç e quaj unë. Ne reflektojmë gjithnjë një harmoni njerëzore mes nesh dhe sot po tregojmë edhe një harmoni politike, e cila reflekton bashkimin e qytetarëve. Kjo nuk është një betejë për Luçiano Boçin por është një betejë për qytetarët", shkroi Boçi në "Facebook", pas takimit.