TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se, ura auto-hekurudhore e Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse, erozionit të theksuar në bazament, për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit, dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor.
Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, ARRSH bën të ditur se, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projektndërhyrjes emergjente që po hartohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës. Kjo ndërhyrje do të zbatohet menjëherë në ditët në vijim.
Ndërkohë, ndërtimi i urës krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.
Gjatë periudhës së ndërhyrjes, ARRSH rekomandon përdorimin e rrugëve alternative: Rruga kryesore Lezhë – Milot dhe Rruga e Kombit.
ARRSH thekson se, kjo ndërhyrje është thelbësore për të garantuar sigurinë e të gjithë komunitetit.
Duke u ndërgjegjësuar për vështirësitë dhe shqetësimet që mund të shkaktojë mbyllja e përkohshme e urës, ARRSH shton se, kjo masë është e domosdoshme për të shmangur rreziqe më të mëdha dhe për të siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme dhe të sigurt në të ardhmen.