AKTUALITET, 18 Nëntor 2021, 23:38

Paraprake, qeveria emeton eurobondin 650 milione euro, kërkesa 1.2 miliardë, më pak interes se në 2020

Paraprake, qeveria emeton eurobondin 650 milione euro, kërkesa 1.2

Shqipëria doli sot për herë të pestë në tregjet e kapitalit për një eurobond. Burime nga tregu ende me të dhëna parapraka konfirmojne se nga 700 milionë euro që autorizonte ligji dhe që ishte synimi i emetimit janë emetuar 650 milionë euro me interes 3.75 per qind dhe afat maturimi 10 vjet.  

Të njëjtat burime thanë se sipas të dhënave paraprake kërkesa e investitorëe ishte 1.2 miliardë euro çka e bën raportin e mbulimit 1.85 një kërkesë kjo mesatare në gjykimin e ekspertëve të tregut. Ulja e shumës nga 700 milionë euro në 650 duket se lidhet pikërisht me përmirësimin e raportit të mbulimit që do të ishte edhe më e ulët në variantin fillestar.

Në raport me eurobondin e kaluar të emetuar një vit më parë Shqipëria ka bërë hapa pas të paktën sa i takon interesit të investitorëve ku kërkesa ishte 3.2 miliardë duke rezultuar me një raport mbulimi gati 5 herë në raport me shumën e kërkuar që ishte 650 milionë euro.
Në raport me vende të tjera të rajonit që kanë qenë aktive së fundmi në tregjet e kapitalit rasti më i freskët është Serbia. Kjo e fundit emetoi 1 miliardë euro dhe kërkesa e investitorëve ishte 3 miliardë duke çuar raportin e mbulimit në 3 herë një nivel ky i kënaqshëm per Serbinë ku autoritetet u shprehën entuziaste lidhur me këtë interes dhe se ishte shumë më lart se prishmëritë që  kishin.

Ky është eurobondi i pestë i qeverisë shqiptare. Dalja e parë ishte në vitin 2010, me vlerë 300 milionë euro. Ajo arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe afat maturimi 5-vjeçar.

Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015, për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75%, me maturim 5-vjeçar.

Dalja e tretë në 2018 për Shqipërinë në tregjet e kapitalit shënoi një interes më të favorshëm se Eurobondet e mëparshme. Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro, me një kupon fiks prej 3.50% dhe afat maturimi 7-vjeçar.

Në qershor të 2020-s, Shqipëria regjistroi daljen e katërt, ku u emetuan 650 milionë euro, me një ofertë nga investitorët rreth 3.2 miliardë euro, me kupon 3.5%, interes 3.625% dhe maturim 7-vjeçar.

Luhatja e interesave në emetimet e eurobondeve gjatë viteve ka qenë e lidhur me kushtet në tregjet ndërkombëtare në momentet përkatëse.

Shqipëria ka një stok borxhi në instrumentin që njihet si Eurobond në vlerën 1.15 miliardë euro. Rritja e tij, me një vlerë prej 650 milionë eurosh, sa tregojnë të dhënat paraprake se ka emetuar do ta çojë atë në vlerën 1.8 miliardë euro.