AKTUALITET, 8 Gusht 2025, 17:59

“Opozita s’mund të fajësohet për humbjen e zgjedhjeve”, Balliu: Ndërkombëtarët duhet të flasin bazuar në fakte 

“Opozita s’mund të fajësohet për humbjen e

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu deklaroi se përgjegjësia për humbjen në zgjedhje nuk mund t’i atribuohet opozitës në një situatë ku procesi zgjedhor është manipuluar.

“Nuk mund t’i vendosim faj opozitës për humbjen në zgjedhje kur kemi pasur vjedhje. Opozita nuk mund të bëjë edhe rolin e policit, edhe të prokurorit. Nëse biem dakord që zgjedhjet janë vjedhur, si mund ta ketë fajin opozita?”, u shpreh Balliu, duke theksuar se brenda PD nuk ka fragmentarizim, por vetëm debate të brendshme.

Ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve të mos mbeten të ftohtë përballë kësaj situate, duke nënvizuar se po cënohen parimet demokratike dhe pluralizmi në vend. “Është esenciale që ndërkombëtarët të veprojnë dhe të flasin të vërtetën në bazë të fakteve. BE refuzon të japë fondet IPARD sepse mendon se zyrtarët këtu janë të korruptuar”, tha Balliu.

Deputeti demokrat pranoi se opozita ka pasur edhe gabime, por shtoi se “kërkuan të na ekzekutonin si opozitë”.