TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke theksuar se opozita nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, por gjithashtu nuk do të braktisë frontin parlamentar.
“Rezultatin e 11 majit e kemi ankimuar dhe e konsiderojmë jolegjitim, por kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin apo jo të PD në Parlament. Në fund të ditës, demokratët kanë votuar për ne. Ne nuk jemi aty për të lënë edhe ato 50 karrige që kemi marrë,” u shpreh Bozdo.
Sipas tij, Parlamenti mbetet një nga frontet më të rëndësishme të përballjes opozitare dhe nuk mund të lihet bosh, pavarësisht qëndrimeve kundër rezultatit të zgjedhjeve. Bozdo parashikoi se legjislatura e re nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në mënyrën se si funksionon Kuvendi, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të të drejtave të opozitës dhe për mosrespektim të Gjykatës Kushtetuese.
“Mazhoranca është tallur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është ndryshuar rregullorja e Kuvendit pa konsensusin e palëve. Kjo është një shkelje e rëndë dhe do të ketë pasoja në funksionimin e demokracisë parlamentare.”, theksoi ai. Ai theksoi se opozita duhet të përdorë të gjitha format e aksionit për të ushtruar presion, duke përfshirë edhe protesta apo strategji të tjera të forta politike. Deputeti demokrat shprehu gjithashtu shqetësim për ritmin e ngadaltë të reformave dhe për problemet sistemike në administratë, veçanërisht në sektorin e sigurisë ushqimore.
“Në rastin më të mirë, Shqipërisë i duhen të paktën 15 vite për t’u integruar në BE. Standardet kërkojnë kohë dhe punë. Sot jemi të tmerruar nga ajo që ndodh me sigurinë ushqimore. Nuk ka një institucion që të garantojë shqiptarët për cilësinë e produkteve vendase.”, tha ai.
Ai e cilësoi këtë si simptomë të thellë të gjendjes në të cilën ndodhet shteti shqiptar dhe paralajmëroi se mbyllja e negociatave të anëtarësimit në BE do të mbetet një ëndërr nëse nuk ndryshon qasja ndaj qeverisjes.
“Hapja e negociatave është një gjë, por mbyllja e tyre është tjetër histori. Shqipëria nuk është e përgatitur për të përmbushur standardet e BE-së në këtë fazë.”, shtoi ai. Bozdo përmbylli deklaratat e tij duke nënvizuar rolin kyç që partnerët ndërkombëtarë kanë për zgjidhjen e krizës së besimit dhe për garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm në të ardhmen.