AKTUALITET, 20 October 2026, 11:07

Protestat, Rama mblodhi Grupin e PS! Balla: Element thelbësor, ngritja e dorës kundër Policisë! Gjaku i policëve është gjaku i shtetit! Mesazhi që përcolli kryeministri

Protestat, Rama mblodhi Grupin e PS! Balla: Element thelbësor, ngritja e

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në Kryesinë e Kuvendit. 

Takimi nisi në orën 09:00 ku në fokus të diskutimeve ishte situata e krijuar pas protestave të dhunshme në Tiranë, si dhe masat e reja ndëshkuese ndaj personave të përfshirë në aktet e dhunës. Burime nga Report tv bëjnë të ditur se Rama në fjalimin e tij u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me qytetarët, për të dëgjuar nga afër pakënaqësitë e tyre.

Një prej masave që parashikohej në paketë është krijimi i një liste të zezë në sistemin TIMS, e cila mund të sjellë kufizime për udhëtimet jashtë vendit. Masat e paralajmëruara përfshijnë gjithashtu faturimin e dëmeve familjeve të të miturve që përfshihen në akte dhune, heqjen e mbështetjes financiare për studentët, si dhe përjashtimin nga puna të mësuesve që nxisin nxënësit drejt dhunës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, tha pas daljes nga mbledhja se kryeministri Rama kishte kërkuar vijimin e menjëhershëm të punimeve të Kuvendit, për të kaluar ligjet që lidhen me procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Balla tha gjithashtu se Grupi i PS ka dënuar dhunën e ushtruar gjatë këtyre ditëve nga protestuesit, teksa shtoi se element thelbësor është ngritja e dorës ndaj Policisë së Shtetit. Balla hoqi edhe një paralele me shtetet e tjera ku po zhvillohen protestat, teksa theksoi se ndryshe nga këto vende, në Shqipëri numri i policëve të lënduar është më i madh se ai i protestuesve.

"Në mbledhjen e Grupit të PS ka pasur një mesazh prej kryeministrit, për të vijuar punën e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme. Axhenda që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit në këtë proces është shumë intensive. Ditën e enjte janë 3-4 ligje që kanë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë. Afati i fundit që këto ligje të kalohen është fundi i këtij muaji. Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

 Grupi i PS dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit. Sot protesta të ngjashme ka në shumë vende të Europës dhe botës. I vetmi dallim është që nëse në Francë ¾ të lënduar janë protestues, në Shqipëri 2/3 nga ata që janë lënduar janë punonjës policie", tha mes të tjerash Balla.

Në gjashtë ditët e para të protestave, mbi 260 persona të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës janë arrestuar, ndërsa dhjetëra të tjerë po procedohen në gjendje të lirë. Por, krahas përballjes me drejtësinë, qeveria ka paralajmëruar edhe masa të tjera ndëshkuese.

Më herët, kryeministri Rama deklaroi se prindërit do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre gjatë protestave. Ndërsa për studentët që ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve të policisë, paralajmëroi heqjen e arsimit falas, bursave dhe çdo mbështetjeje financiare nga shteti. Masa janë paralajmëruar edhe ndaj mësuesve që nxisin nxënësit të përfshihen në akte dhune, të cilët rrezikojnë largimin nga puna.

Balla pas mbledhjes së Grupit të PS: Gjaku i policëve është gjaku i shtetit! Të enjten votojmë në Kuvend marrëveshjen për më shumë investime në konvikte 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ftuar protestuesit për të dialoguar me Qeverinë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se të enjten në Kuvend do të votohet një marrëveshje për të investuar më shumë në konvikte.

Lidhur me sulmet e protestuesve të dhunshëm ndaj Policisë, Balla tha se ‘gjaku i policëve është gjaku i shtetit’.

“Pakti 2.0 për universitetin është tani. Ditën e enjte votojmë në Parlament një marrëveshje për të investuar më shumë në konvikte. Kushtet sot në konvikte as që krahasohen me kohën kur kemi qenë ne studentë. Gjithë këto dëme që janë bërë deri më sot, shkojnë përtej një investimi për korpusin e universitetit. Në mbledhjen e Grupit të PS ka pasur një mesazh prej kryeministrit, për të vijuar punën e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme. Axhenda që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit në këtë proces është shumë intensive. Ditën e enjte janë 3-4 ligje që kanë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë. Afati i fundit që këto ligje të kalohen është fundi i këtij muaji. Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Grupi i PS dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit. Sot protesta të ngjashme ka në shumë vende të Europës dhe botës. I vetmi dallim është që nëse në Francë ¾ të lënduar janë protestues, në Shqipëri 2/3 nga ata që janë lënduar janë punonjës policie. Gjaku i policëve është gjaku i shtetit. Nuk duhen lënë që fëmijët të përdoren si mish për top nga axhenda nga jashtë. Lajmi i mirë sot është që në të gjitha shkollat po bëhet mësim. Nuk është pedagog Jamarbër Malltezi”, tha mes të tjerash Balla.