AKTUALITET, 9 Shtator 2025, 13:47

Rama: Mjelin lopën në katin e parë. E rrethojnë tokën dhe rrisin pula e dele, e paimagjinueshme. Hapësira e përbashkët është e të gjithë banorëve

Rama: Mjelin lopën në katin e parë. E rrethojnë tokën

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot situatat absurde që, sipas tij, ndodhin në disa lagje urbane, ku individë përdorin hapësirat e përbashkëta të pallateve si prona private për qëllime bujqësore apo blegtorale.

Rama tha se janë shtuar rastet ku persona pretendojnë se “toka rreth pallatit është e tyre” dhe i përdorin ato hapësira për të rritur kafshë apo për veprimtari të tjera private.

Për pallatet e reja, tha Rama, situata është më e qartë dhe e rregulluar me ligj, ku hapësirat e jashtme konsiderohen si pronë kolektive e banorëve dhe nuk mund të përvetësohen apo shfrytëzohen nga individë të veçantë.

“Unë jetoj në kat të parë, kam tokën time e rrethoj tokën e pallatit dhe rris pula, dele, lopë…këto janë realitete. Mjelin lopë në kat të parë, është e imja thotë. Jo nuk është e jotja. Pavarësisht se mund të kesh një certifikate prone, ti nuk mund të mbash lopën atje, sepse është një sipërfaqe e përbashkët. Deri ne momentin kur bashkia të thotë që do bëjmë një fermë këtu.

Këtu flasim për ata që kanë marrë prona në mënyrën më të paimagjinueshme, por i kanë marrë. I bëjnë karshillëk komunitetit duke i parë nga lart sikur jetojnë mbi kopsht zoologjik. Për pallatet e reja as që bëhet fjalë fare. Ata që hyjnë në atë pallat e kanë të përbashkët atë hapësirë”, tha Rama, teksa u prezantua paketa e  masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit.