AKTUALITET, 16 Shtator 2025, 12:32

Operacioni/ Theu ‘arrestin shtëpiak’ për drogë, video në rrjetin social me keqtrajtimin e kafshëve ‘tradhton’ 33-vjeçarin, rikthehet në qeli

Operacioni/ Theu ‘arrestin shtëpiak’ për drogë, video

Theu masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ që i kishte vendosur gjykata për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, riarrestohet edhe për keqtrajtimin e kafshëve.

Videot në rrjetin social që kishte postuar një 33-vjeçar në Cërrik i kanë kushtuar shtrenjtë, duke e rikthyer në qeli. Në videot e denoncuara nga qytetarët shfaqej i riu duke keqtrajtuar kafshët në fshatin Rrasë.

Pas identifikimit Policia e Elbasanit arriti ta gjente të riun në rrugë, teksa kishte thyer edhe masën e sigurisë që i ishte vendosur.

“Menjëherë pas njoftimit për raste të keqtrajtimit të kafshëve në fshatin Rrasë, të cilat ishin dokumentuar nëpërmjet disa videove të publikuara në rrjete sociale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kryen veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit. Si rezultat, u vu në pranga shtetasi K. M., 33 vjeç”, thanë burime zyrtare.

Gjithashtu sqarohet se ai u lokalizua jashtë banesës së tij, në fshatin Rrasë, në cenim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, që i ishte caktuar për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.