AKTUALITET, 16 Shtator 2025, 10:41

Balla: Synojmë që në 2029 Shqipëria të dërgojë eurodeputetët e parë në BE. Të majtë e të djathtë të shkojmë bashkë në vendet anëtare për ratifikim

Balla: Synojmë që në 2029 Shqipëria të

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë  seancës parlamentare, ka deklaruar se me angazhimin e shumicës dhe të opozitës, synimi është që kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian të mbyllen deri në Krishtlindjet e vitit 2027, ndërsa viti 2028 të shënojë fillimin e procesit të ratifikimit në vendet anëtare të BE-së.

Ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të shtyjë përpara edhe reforma të tjera kyçe, përfshirë reformën zgjedhore, të cilën sipas tij, duhet ta nisin pa vonesë.

Duke pasur parasysh ritmin aktual të negociatave dhe përmbushjen e reformave, Balla tha se Shqipëria mund të jetë gati të dërgojë eurodeputetët e saj të parë në Parlamentin Evropian në legjislaturën 2029–2034.

Balla në Parlament: Me angazhimin e kësaj shumicë dhe të kësaj pakice shpresoj që ti mbyllim kapitujt brenda krishtlindjeve 2027 dhe në 2028 të gjithë së bashku të majtë dhe të djathtë të shkojmë në vendet e BE për të përmbyllur procesin e ratifikimit dhe këtu të bëjmë detyrat.

Kjo mazhorancë do të propozojë edhe çështje të tjera përfshirë edhe reformën zgjedhore që duhet ta fillojmë menjëherë. Ndër shumë detyra shpie kemi edhe parashikimin në kodin zgjedhor të mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Parlamentit Evropian.

Nëse ecim me këtë ritëm ne mund të jemi gati për të çuar eurodeputetët e para në legjislaturën e re te BE 2029-2034.