IDE, 20 August 2026, 20:18

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Pamjet ikonike të një të moshuari nga Maliqi që kërcënonte me bastun kreun socialist të këshillit bashkiak, shkojnë shumë përtej tensioneve që ka ngjallur përpjekja e qeverisë për ti imponuar një ndarje të re teritoriale vendit. Problemi nuk është as se po injorohet çdo pretendim i bërë nga opozita në komisionin bipartizan, as se për shumë qendra, aksesi në bashki po bëhet gjithnjë e më i largët. Duke e reduktuar me 15 numrin e bashkive aktuale socialistët pretendojnë krijimin e administratave më të fuqishme dhe më mëkëmbura financiarisht, që do i përgjigjeshin më mirë qytetarëve. 

Por pyetja shtrohet: si po e bëjnë këtë? 

Në këtë pikë imazhet simbolike të një të moshuari nga Selca, Reiz Petritajt, që u ngriti shkopin në fytyrë autoriteteve të Maliqit, tregojnë shumë. Maliqi është një nga ato qendra që synohet të shkrihet në të ardhmen me Korçën. Kryebashkiaku veteran i tij, Gëzim Topçiu ishte shprehur publikisht kundër kësaj zgjidhjeje. Por këtë të enjte, me sa duket nën presion të madh ai, po ashtu si këshilltarët socialistë kanë bërë prapaktheu. Pse? Nga shantazhi dhe presioni? Ky është opsioni më i mundshshëm, po të kthesh filmin pas dhe të shohësh se ç‘ka ndodhur deri më sot. 

Të revoltuar me projektin e ndarjes territoriale, socialistët e Poliçanit dolën në shesh dhe dogjën në mënyre demostrative tesrat e partisë së tyre. Të njëjtën gjë bënë dhe ata të Divjakës që vazhdojnë çdo mbrëmje protestën. Por, ndaj kësaj revolte jo të kundërshtarëve, por të të vetëve, kryeministri Rama u përgjigj me arrogancë dhe harbutëri. Ai e fyeu dhe e ofendoi gjatë mbledhjes me krerët lokalë, kryebashkiakun e Poliçanit duke i kujtuar “turpin” e djegjes së tesrave. Ai u tall me homologen e tij të Dimalit, duke ironizuar me “udhëheqësit e mëdhenj”, që guxojnë të vënë trurin në punë për të dyshuar mbi vendimet që merren lart, ndërsa pasi Juliana Dedaj iu përgjigj se ajo s’ndihej si “udhëheqëse e madhe”, por si “punëtore komunaleje: kryeministri e kërcënoi me nxjerrje jashtë.

Pikërisht ky injorim për të dëgjuar zërat e drejtë apo të gabuar qofshin, që i vijnë nga baza e që pastaj shndrrohet në shantazh për të zbatuar urdhrin, mund të ketë zbythur edhe kryebashkiakun e Maliqit, Topçiu. Prandaj publiku pa sot ato imazhe domethënëse nga salla e këshillit bashkiak. Ato tregojnë vetëm një gjë: revoltën qytetare ndaj një pushteti që nuk ka më nerva as që ti dëgjojë. Në vend të bindjes, rilindja gjithnjë e më shumë po përdor një armë tjetër: dhunën dhe nënshtrimin. Nuk ka argument më të fortë për këtë pretendim sesa një kryebashkiak i PS-së që detyrohet të kthejë pllakën me presion. Nuk ka shembull më sinjifikativ se ata socialistët e Dimalit, Poliçanit apo Divjakës që duan të dëgjohen, por në të kundërt tallen dhe përçmohen. E këtu nuk po gjykojmë nëse ata kanë të drejtë apo gabim. Nëse ndarja e re teritoriale mund të krijojë më shumë të mira apo jo për qytetarët e bashkive që shkrihen. Këtu problemi është thjeshtë për metodën që po aplikohet: “Ju jeni tufë bagëtish, të mirën tuaj e dimë ne, ndaj s’ka nevojë as ti’u pyesim”.

Ky është shtrati nëpër të cilin po ecën reforma teritoriale. Ky procedim, bie katërcipërisht ndesh me propagandën e platformës Besa, që vetë Edi Rama shpalli pak ditë më parë. Një ndër pikat e këtij dokumenti që mëtonte ti përgjigjej protestave masive kundër drejtimit autoritarist të vendit ishte më shumë empati ndaj qytetarit, për ti shpjeguar atij edhe ato vendime të drejta që si kupton se janë në të mirë të tij. Por, kur vjen puna në zbatimin në praktikë sjellja është tjetër: ata që kanë poste dhe nuk binden kërcënohen, ndërsa ata që kanë vetëm pushtetin për të protestuar, përqeshen e injorohen. Dhe kjo ndodh pasi ky pushtet ka vite që është i shurdhër. Fakti që nuk dëgjon dot më as të vetët përbën provën më të qartë se e ka të pëmundur të sillet ndryshe. E prandaj e vetmja mënyrë komunikimi me të është ti ngresh bastunin./Lapsi.al