TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy zjarre të fuqishme kanë përfshirë mbrëmjen e së enjtes qytetet Tüssiz dhe Schaffhausen në Zvicër, duke lënë 19 persona të plagosur dhe pesë të tjerë të zhdukur. Në Tüssiz, në kantonin e Grisons, një zjarr i madh përfshiu një ndërtesë ku ndodheshin një restorant dhe disa apartamente. Të dyja u dogjën plotësisht, ndërsa pesë persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur.
Sipas policisë, 14 persona arritën të largoheshin nga ndërtesa, ndërsa tetë prej tyre mbetën të plagosur. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, dy në gjendje të moderuar dhe dy me plagë të lehta. Ata morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitale në zonë dhe në Cyrih. Zjarri dyshohet se nisi në katin e dytë të ndërtesës. Gjatë operacionit të shpëtimit, shkallët e ndërtesës u shembën, ndërsa çatia u detyrua të hapej me ndihmën e një vinçi.
Rreth 100 zjarrfikës u angazhuan për shuarjen e flakëve, ndërsa operacionet vijuan edhe gjatë mëngjesit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Një tjetër zjarr shpërtheu rreth orës 22:30 në Schaffhausen, pranë kufirit me Gjermaninë. Flakët nisën në kuzhinën e një apartamenti dhe më pas u përhapën në banesë.
Në këtë incident u plagosën 11 persona, nëntë prej të cilëve u dërguan në spital. Mes të plagosurve ishte edhe një efektiv policie. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve dhe parandaloi përhapjen e zjarrit në apartamentet e tjera të pallatit. Edhe për këtë rast, autoritetet zvicerane po hetojnë shkaqet e ngjarjes.