AKTUALITET, 31 Korrik 2024, 11:25

Operacioni i SPAK, arrestohet ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dhe zv. drejtori i burgut në Bradashesh

Operacioni i SPAK, arrestohet ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dhe zv. drejtori i

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me operacionin e SPAK që është zhvilluar në disa qytete, por me fokus në Elbasan. Mësohet se është caktuar një masë sigurie “arrest shtëpie” për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe zv. Drejtorin e burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar një operacion të gjerë në Elbasan, Tiranë dhe Durrës ku janë lëshuar 25 urdhër arreste. Mësohet operacioni është zhvilluar pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky Ecc ku ka edhe shumë zyrtarë të përfshirë. Vetëm dy ditë më parë pas çkodimit të këtij aplikacioni u vu në pranga kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka. Në orët në vijim priten me shume detaje për këtë operacion.

Kush është Fetahu

Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu i dha fund karrierës 20-vjeçare në sistemin e drejtësisë, duke dhënë dorëheqjen në nëntor 2022. Zonja Fetahu pretendoi se ishte sëmurë pasi Komisioni i Vetingut e njoftoi për t’u paraqitur në datën 15 nëntor 2022, në seancë dëgjimore, për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar. Procesi i Vetingut për gjyqtaren e Elbasanit nisi që në dhjetor të vitit 2020. Komisioni i Vetingut e kishte ftuar për t’u paraqitur ditën e djeshme në seancë dëgjimore. Gjyqtarja Pajtime Fetahu nuk ishte e pranishme, por përfaqësohej nga avokatja Regleta Panajoti. Kjo e fundit ka qenë gjyqtare, por është përjashtuar përt15 vite nga drejtësia me vendim të KPA-së, pasi dha dorëheqjen nga sistemi. 

Pajtime Fetahu e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 pranë Gjykatës së Elbasanit. Vitin e kaluar, Pajtime Fetahu iu nënshtrua një procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cenim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim. Në fund, KLGJ-ja ndëshkoi gjyqtaren duke i ulur pagën për 6 muaj me 20 %.

Në shkurt të vitit 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra gjyqtaren Pajtime Fetahu, pasi u kap nga kamerat e një emisioni televiziv, ku gjatë një bisede me një efektiv policie, gjyqtarja kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.

Pezullimi i gjyqtares erdhi pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi pezullimin e përkohshëm nga detyra, të gjyqtares deri në përfundimin e procedimit penal në ngarkim të saj. Menjëherë pas transmetimit të filmimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, ndërkohë që urdhëroi dhe arrestimin e dy sekserëve, shtetasve Enver Disha punonjës policie dhe edhe ish-oficeri i burgjeve Behar Kola që bënte edhe rolin e sekserit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Në shtator të po atij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen penale për gjyqtaren, me arsyetimin se nuk u provua përfshirja e gjyqtaret në korrupsion. Çështja për dy sekserët u transferua në prokurorinë e zakonshme. Me mbylljen e dosjes, në maj të vitit 2018, KLD-ja e riktheu Pajtime Fetahun në drejtësi. 

Në vitin 2019, Dafina Peci, banore e fshatit Gjinar në Elbasan, akuzoi gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, se ka falsifikuar një vendim, duke rritur në mënyrë fiktive sipërfaqen e tokës së saj në Gjinar. Për të njëjtën çështje, sipas saj, Pajtime Fetahu ka dhënë dy vendime identike, por me sipërfaqe toke të ndryshme. Gjyqtarja u lakua sërish në prill të vitit 2020, pasi liroi nga burgu dy herë Artan Drizën, i kapur me 81 doza heroinë, të gatshme për t'u shpërndarë tek konsumatorët. Kur Driza theu arrestin shtëpiak, Fetahu e liroi sërish.