AKTUALITET, 31 Korrik 2024, 08:57

Shëngjini digjej, ministrat postonin video me këngë e valle të pushuesve

Shëngjini digjej, ministrat postonin video me këngë e valle

Shëngjini përjetoi dje momente tmerri, ndërsa zjarri dogji pyje dhe prona, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. Por, ndërsa banorët luteshin dhe zjarrfikësit luftonin me flakët, ministrat e kabinetit të Edi Ramës postonin video me valle dhe këngë, duke tentuar të shtensiononin situatën e krijuar nga zjarri apokaliptik, që përfshiu disa ndërtesa dhe po i afrohej disa resorteve në portin e Shëngjinit, për të treguar se gjithçka është normale.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ndodhet aktualisht në Shëngjin për të parë nga afër progresin e forcave zjarrfikëse në luftën e tyre me flakët ka treguar se njerëzit nuk janë më edhe aq të frikësuar.

“Përtej problematikës me zjarret në kodrat përreth, kjo është atmosfera festive në këtë moment në Shëngjin",- shkruan Balla.

Të njëjtën video e ka postuar edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili ka qenë po ashtu i pranishëm në Shëngjin së bashku me Ballën, teksa shkruan se pamjet e publikuara janë për pirromanët digjitalë që u fryejnë flakëve të panikut nga tastierat e telefonave.

“Kjo video është për pirromanët digjitalë që u fryjnë flakëve të panikut nga tastierat e telefonave. Mos i lodhni gishtat duke shkruajtur...

Në Shëngjin gjithçka është nën kontroll, turistët dhe qytetarët i janë kthyer normalitetit dhe s'ka asnjë vend për panik!”- shkruan ministri Ulsi Manja.

Në videot e postuara, shihen njerëz duke kënduar dhe kërcyer valle, pa e vrarë shumë mendjen për atë që po ndodhte pak minuta më parë, ku rrezikohej që e gjithë zona bregdetare të kthehej në shkrumb e hi.