AKTUALITET, 12 Nëntor 2024, 11:34

Musk “ndërhyn” në marrëveshjen Rama-Meloni: Të dorëhiqen gjykatësit që i kthyen emigrantët në Itali

Musk “ndërhyn” në marrëveshjen Rama-Meloni: Të

Njeriu më i pasur në botë dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të Donald Trump, Elon Musk, ka dhënë një koment në lidhje me marrëveshjen Rama-Meloni për dërgimin e emigrantëve afrikanë nga Italia në Shqipëri.

Një ditë më parë, Gjykata e Romës vendosi për të dytën herë që emigrantët e ardhur në Shëngjin të rikthehen në Itali.

“Ata gjykatës duhet të largohen”, ka qenë një koment i Musk në rrjetin social X në lidhje me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët.

Moderatori i një programi në platformën X, Mario Nawfal, shkruan se gjykata po bllokon planin e kryeministres Georgia Meloni për qendrën e ndalimit të emigrantëve në Shqipëri. Saktësohet se refugjatët ishin nga Bangladeshi dhe Egjipti.

“Plani, i zhvilluar me Shqipërinë për të zbutur fluksin e emigrantëve në Itali, synon që të zhvendosë deri në 36 mijë emigrantë në vit. Kostoja është 800 milionë euro për 5 vite”, thekson Nawfal, në një shkrim ku citon Financial Times.

Megjithatë, ai thekson se plani në fjalë po has në pengesa dhe në kritika të forta për koston e madhe.

Kjo nxiti dhe reagimin e Elon Musk, i cili ka një raport miqësor me kryeministren italiane. 

Marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni synon të menaxhojë fluksin e emigrantëve drejt Italisë përmes strehimit të tyre të përkohshëm në Shqipëri.

Kjo marrëveshje ka shkaktuar debat në të dy vendet dhe jo vetëm, me palë që e mbështesin për lehtësimin e fluksit të migrantëve dhe të tjera që e kritikojnë për çështjet e sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Musk “ndërhyn” në marrëveshjen Rama-Meloni: Të