AKTUALITET, 18 Nëntor 2025, 20:41

Mungoi në protestën e PD-së, Alimehmeti zbulon arsyet: Këshilli Kombëtar nuk u pyet për aksionin

Mungoi në protestën e PD-së, Alimehmeti zbulon arsyet:

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka shpjeguar arsyet e mungesës së tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë nga PD pasditen e së hënës. Alimehmeti sqaroi se Këshilli Kombëtar nuk ishte thirrur dhe nuk ishte konsultuar për këtë nismë.

Ai theksoi se aktiviteti i së martës nuk kishte karakter proteste: “U la një mundësi për të folur deputetët, të cilët, me sa duket, hasin vështirësi të mëdha brenda Parlamentit. Nuk mund të quhet protestë.” Sipas tij, formati i foltores pritet të zhvillohet çdo javë dhe nuk përbën një reagim të mirëfilltë politik.

Alimehmeti nënvizoi se Këshilli Kombëtar nuk ka diskutuar asgjë lidhur me aksionin dhe se informacioni i ardhur tek anëtarët ishte se bëhej fjalë për një platformë diskutimi mes deputetëve dhe qytetarëve. “Unë jam pro protestave të qëndrueshme, me kuptim. Kjo nuk ishte e tillë, thjesht një foltore,” shtoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se partia ka nevojë për analiza serioze për zgjedhjet, të cilat OSBE/ODIHR i ka cilësuar të pabarabarta.

Alimehmeti deklaroi se protesta e madhe kombëtare do të lajmërohet javët në vijim: “Presim javën tjetër për më shumë.”.