AKTUALITET, 18 Nëntor 2025, 18:41

“Më zuri rrugën”/ Shqiptari rrëfen pse rrahu për vdekje 58-vjeçarin në mes të Athinës. Arrestohen edhe dy grekë

“Më zuri rrugën”/ Shqiptari rrëfen pse rrahu për

Detaje të reja janë zbuluar nga hetuesit grekë lidhur me rrahjen për vdekje të një 58-vjeçari vendas mbrëmjen e djeshme në Neos Kosmos të Athinës. Autori i dyshuar i krimit është një 29-vjeçar shqiptar, një nga tre të arrestuarit për këtë ngjarje të rëndë, i cili pas marrjes në pyetje ka rrëfyer dinamikën dhe shkaqet që çuan në këtë akt brutal. Ai ka deklaruar se nuk kishte qëllim ta vriste viktimën, por ka vepruar në gjaknxehtësi.

Autori, emri i të cilit nuk është bërë publik, i ka thënë policisë se ishte konfliktuar me shoferin e makinës pasi ky i kishte zënë rrugën, sipas informacioneve të “Protothema”. Fillimisht u dyshua edhe për një ndjekje të qëllimshme, pra për një krim të paramenduar, por kjo pistë është hedhur poshtë nga të dyshuarit.

Nga hetimet e policisë rezultoi se tre të rinjtë, dy grekë dhe një shqiptar, po ndiqnin makinën e 58-vjeçarit me dy motoçikleta. Dëshmitë në dispozicion të autoriteteve tregonin se autori i kishte kapur kokën viktimës dhe e kishte goditur vazhdimisht në timon. Policia e gjeti makinën e viktimës të mbuluar me gjak, ndërsa edhe xhami i përparmë ishte i thyer.

Përveç tre të rinjve, është arrestuar edhe babai i njërit prej tyre, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij ai u përpoq të fshihte motoçikletën e të birit. Vlen të theksohet se të tre të përfshirët kanë qenë më parë në paraburgim për vepra të ndryshme penale.