AKTUALITET, 18 Nëntor 2025, 15:59

Dosja “Metamorfoza”, Behar Bajri dënohet me 8 vite e tetë muaj burgim, çfarë vendosi GJKKO për të pandehurit e tjerë

Dosja “Metamorfoza”, Behar Bajri dënohet me 8 vite e tetë

Pas më shumë se 4 orësh në dhomë këshillimi një trupë gjykuese në Gjykatën e Posaçme shpalli vendimin për të pandehurit e parë të dosjes Metamorfoza, dosja e parë e SPAK bazuar në komunikimet e aplikacionin e enkriptuar SKY ECC.

Behar Brajovic (Bajri) u cilësua fajtor dhe dënua me 8 vite e tetë muaj përfundimisht pasi përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar.

Edmond Preka me 7 vite burgim, ndërsa Astmer Bilali, 5 vite e 8 muaj burgim.
Ata u gjetën fajtor për grup kriminal dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasjen e Kleant Musabelliut,

Dorian Dulit, Genc Tafilit si dhe armikut të përbetuar të grupit Bajri, Ibrahim Lici.

Ish shefi i forcës së posaçme operacionale u dënua me 2 vite burgim për akuzën e zbulimit të akteve sekrete ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Masa e sigurisë për të u shua, pasi e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.

Xhevahir Lita, ish-drejtues i prokurorisë së Kukësit u dënua me 3 vite e katër muaj burg, për “zbulim i akteve sekrete”. Edhe Lita rifitoi lirinë.

Gjykata vendosi që për Ardit Hasanbegajn dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka ta shpallë vendimin me 2 dhjetor, pasi avokatët e tyre nuk kanë paraqitur argumentet e mbrojtjes.

Kjo është hera e parë që hapet një praktikë e tillë, kur të pandehurit gjykohen në një proces, ndërsa vendimi shpallet veçmas.

Disa nga të pandehurit e dosjes Metamorfoza, si Pëllumb Gjoka, po gjykohen në një tjetër proces me procedurë të zakonshme për vrasjen e Gjin Boricit në 2020 në Vaun e Dejës dhe krime të tjera të rënda.