TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Arkeologu dhe akademiku Neritan Ceka deklaroi se klasa politike në Shqipëri ka qenë pragmatike, pa organizëm dhe pa programe e ideale. Ai vë në dukje se, në këtë drejtim, vendi është pothuajse i pashpresë.
Ndër të tjera, Ceka shprehet se klasa politike vjen nga katundet dhe se vetë Tirana është një konglomerat katundesh.
“Ajo që na ka munguar në Shqipëri është se klasa politike u zhduk gjatë komunizmit. U krijua një klasë që u frymëzua nga një nacionalizëm kryesisht dekorativ, jo përmbajtësor. Gjysma e patriotëve të mëdhenj u mënjanuan sepse u quajtën reaksionarë, katolikë e kështu me radhë.
Për fat të keq, klasa politike që nga vitet ’90 e deri sot nuk pati në programin e saj formimin e një klase politike të qëndrueshme. Ajo ka qenë pragmatike, e përkohshme, zhduket menjëherë nga ekrani; jo sa vdesin, por sa ikin nga pushteti janë njerëz që s’i njeh kush! Nuk kanë lënë trashëgimi, nuk kanë pasardhës. Ne nuk kemi një klasë politike si e majta italiane, që nxjerr figura pa fund, apo si e djathta italiane. Asnjë nga partitë politike shqiptare nuk ka një program të qëndrueshëm. Nuk kanë një organizëm siç ka gjithë bota: një fondacion, si në Gjermani që ka dy, apo në Itali, që kanë fondacione për përgatitjen e klasës politike.
Këtu secila parti rekruton njerëz pragmatikë, pa programe, pa ideale. Në këtë drejtim jemi pothuajse pa shpresë. Kjo është një klasë politike që vjen nga katundet. Tirana është një konglomerat katundesh”, tha Ceka.