AKTUALITET, 11 Qershor 2024, 21:04

Berisha fton demokratët: Dera është e hapur për mendimin ndryshe! Sot nuk ka PD me vulë dhe pa vulë, jemi të bashkuar!

Berisha fton demokratët: Dera është e hapur për mendimin

Pasi Gjykata e Apelit i dha atij vulën dhe logon e PD, Sali Berisha ftoi të gjithë demokratët që të bashkohen për të rrëzuar këtë qeveri dhe për të sjellë rotacionin politik.

Në fjalën e tij para mbështetësve dhe protestuesve, ai tha se kontributi i tyre është shumë i vyer.

Ish kryeministri u shpreh se sot “ka vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar rreth flamurit të saj, flamurit të lirisë, flamurit të fitores”.

“Sot ka vetëm një opozitë të bashkuar. Një parti uragan i pamposhtur opozitar që do të sjellë rotacionin dhe do ta shkatërrojë narkoshtetin e Edi Ramës, ashtu siç Edi Rama tentoi të shkatërrojë flamurin tonë! I bëj thirrje atyre demokratëve që nuk janë bashkuar.

Kontributi i secili është i vyer, investimi i tyre kurrë nuk mohohet. Në protestën e 20 shkurtit ne vërtetuam se të bashkuar në diversitet është formula jonë fituese. Ndaj mos hezitoni të na bashkoheni. Ju mirëpresim. Ju bëj thirrje çdo opozitari që nuk është pjesë e PD, opozitare të vjetër dhe të rinj, nëse jeni kundër narkoshtetit të bashkojmë forcat.

Mund të mos jeni me PD, por pa PD rrëzimi i Ramës është një iluzion”, tha Berisha, i cili theksoi më tej se “Edi Rama sonte flet me veten, nuk fle. Prandaj beteja më të nxehta ne i kemi përpara. Sot mesazhi më i rëndësishëm që duhet dhënë dhe që të japim çdo ditë është vetëm një: bashkim, bashkim, bashkim”, tha Sali Berisha.

Fjala e Berishës:

Miqtë e mi, kam marrë me qindra e mijëra mesazhe.

Por do u citoj vetëm dy prej tyre. Njërin e kam nga Shqipëria, një avokat i vërtetë i demokracisë dhe vlerave të saj, publicist, shkrimtar, më shkruan se u gëzova aq shumë nga ky lajm, saqë përqafoj çdo njeri që më del përpara në rrugë.

Mesazhi tjetër vjen nga njëra prej mikeve më të shquara të këtij kombi, e cila shkruan se pasi mora këtë lajm, u shkreha në lot për Shqipërinë dhe shqiptarët nga gëzimi.

Sot është dita të përulem me respektin më të madh përpara çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në Kuvendin e 11 Dhjetorit, të shpëtimit të opozitës në Shqipëri!

Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët, me guximtarët! Lavdi Zotit!

Askush nuk e ka provuar vërtetësinë e kësaj aksiome se sa ne, demokratët shqiptarë.

E provuam gjatë 30 viteve, në fillimet e pluralizmit dhe rrëzimin e diktaturës.

E provuam në vitin 1997, gjatë rebelimit komunist kur u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe u rikthyem përsëri.

E provuam këto dy vite, pavarësisht presionit, padrejtësive e kërcënimeve, ne ia dolëm të mbetemi të lirë, të mos kapemi, të mos shitemi dhe të mbi të gjitha të mos zhdukemi.

Në këtë flamur sot valëvitet demokracia.

Në këtë flamur sot valëvitet liria.

Në këtë flamur sot valëvitet shpresa.

Në këtë flamur sot valëvitet beteja dhe fitorja e ardhshme.

Ky flamur sot është një mësim që çdo betejë mund të fitohet. Dhe çdo e keqe mund të kapërcehet!

Sot është dite e mirë për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me flamurin e saj, pasi ky flamur fshin çdo pengesë, çdo ndarje të tyre me shumicën e vëllezërve dhe motrave!

Dera është e hapur për kontributin dhe mendimin ndryshe të garantuar për çdo demokrate dhe demokrat!

Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por ka fituar demokracia. Sot ka fituar çdo shqiptar që beson se me pluralizmin e marrë peng, liria nuk ekziston. I vetmi i humbur sot është Edvin Kristaq Rama.

Por miqtë e mi, të mos kemi keqkuptime.

Beteja vazhdon. Narkoshteti nuk donte që ne të merrnim këtë flamur sot.

Edi Rama sonte flet me vete, nuk fle

Prandaj betejat më të nxehta, ne i kemi para.

Dhe sot mesazhi më i rëndësishëm që duhet dhënë dhe që duhet të japim çdo ditë është vetëm një: bashkim, bashkim, bashkim!

Demokrate e demokratë, sot nuk ka më parti me vulë, parti pa vulë.

Sot nuk ka më PD të vërtetë, PD të pavërtetë.

Sot ka vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar rreth flamurit të saj, flamurit të lirisë, flamurit të fitores.

Sot ka vetëm një opozitë të bashkuar. Një parti uragan i pamposhtur opozitar që do sjellë rotacionin dhe do ta shkatërrojë narkoshtetin e Edi Ramës, ashtu siç Edi Rama tentoi të shkatërrojë flamurin tonë!

I bëj thirrje pra edhe njëherë, atyre demokratëve që ende nuk na janë bashkuar. Kontributi i secilit është i veçantë.

Investimi i tyre kurrë nuk mohohet.

Në protestën madhështore të 20 shkurtit, ne e vërtetuam se të bashkuar në diversitet, është formula ynë fituese.

Ndaj mos hezitoni të na bashkoheni sa më shpejt. Ju mirëpresim!

I bëj thirrje çdo opozitari që nuk është pjesë e Partisë Demokratike. Opozitarëve të vjetër dhe atyre të rinjve. Partive të mëdha dhe atyre të vogla. Nëse jeni kundër Edi Ramës. Nëse jeni kundër narkoshtetit. Nëse jeni kundër inceneratorëve. Kundër vjedhjeve 100%. Kundër krimit. Dhe mbi të gjitha kundër shpopullimit.

Atëherë t’i bashkojmë forcat. Mund të mos jeni me Partinë Demokratike, por pa Partinë Demokratike nuk e rrëzoni dot Ramën. Prandaj dyert tona janë të hapura për çdo opozitar të vërtetë."