AKTUALITET, 7 Korrik 2026, 11:46

Me tatuazh kallashnikovi në krah, kush janë tre adoleshentet që dhunuan bashkëmoshataren e tyre

Me tatuazh kallashnikovi në krah, kush janë tre adoleshentet që

Me tatuazhe dhe me një stil që tregojnë se janë të forta, kështu shfaqen në foto tre adoleshentet, të cilat dhunuan dhe filmuan një bashkëmoshtare të tyre. Ngjarja e ndodhur në Fier, një muaj më parë.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur dy prej vajzat dhunojnë në shtëpi shoqen e tyre, ndërsa një tjetër e filmon.

Fotot që qarkullojnë tregojnë vajza të reja me flokë të gjatë, tatuazhe me armë dhe poza tipike.

Ndërkohë për ngjarjen ka reaguar edhe policia, e cila thotë se ka nisur procedimin në gjendje të lirë. Po ashtu, sipas uniformave blu, njëra prej vajzave është arrestuar dhe është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë.

Denoncimi në polici është bërë nga vajza e dhunuar 17 vjeçare dhe nëna e saj.

Njoftimi i policisë:

Nisur nga sensibiliteti i lartë publik i krijuar pas publikimit në rrjetet sociale të videos së një ngjarjeje të ndodhur më datë 08.06.2026, si dhe pas reagimeve dhe interesit të madh të qytetarëve në drejtim të adresave zyrtare dhe rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Fier e konsideron të nevojshme të risqarojë opinionin publik mbi masat e marra dhe veprimet e kryera nga strukturat e Policisë në lidhje me këtë rast, dhe më konkretisht:

Më datë 08.06.2026, një shtetase 17 vjeçe është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, së bashku me nënën e saj, dhe ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e shtetases L. L., 19 vjeçe, nga kjo e fundit dhe dy shtetase të tjera 15-vjeçare.

Menjëherë pas kallëzimit të së miturës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me parashikimet ligjore.

Në vijim të veprimeve hetimore, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë shtetasja L. L., 19 vjeçe, si dhe 2 shtetaset e mitura 15-vjeçare, të cilat deklaruan se kishin ushtruar dhunë ndaj shoqes së tyre, shtetases së mitur 17 vjeçe, për motive të dobëta.

Në përfundim të veprimeve, më datë 09.06.2026, materialet procedurale i’u referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të 3 shtetaseve të mësipërme.

Gjithashtu, sqarojmë se, më datë 28.06.2026, nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është arrestuar njëra nga 15-vjeçaret e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës së 15-vjeçares, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Pas procedurave përkatëse dhe bazuar në vlerësimin e autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier rithekson se ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin, në bashkëpunim të ngushtë me organin e Prokurorisë, i cili është autoriteti kompetent për vijimin e procedimit penal.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për trajtimin me seriozitet të çdo rasti që cenon sigurinë e qytetarëve, veçanërisht kur në këto ngjarje përfshihen të mitur, duke vepruar me profesionalizëm, paanshmëri dhe në zbatim të plotë të ligjit.