TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndërsa prej 38 ditësh vijojnë protestat për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen pa kushte të kryeministrit Edi Rama, profesori dhe akademiku Artan Fuga ka bërë thirrje që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet për vetëshpërndarjen e tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, Fuga u shpreh se një vendim i tillë do të ishte i nevojshëm nëse deputetëve u ka mbetur ende një përgjegjësi morale dhe sociale.
“E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale!”, shkruan Fuga.
Ai kritikoi mënyrën e funksionimit të institucioneve parlamentare, duke u shprehur se gjatë pjesëmarrjes së tij në komisione të Kuvendit për çështje të kulturës, shkencës, arsimit dhe rinisë është përballur, sipas tij, me mungesë përgjegjësie, kompetencash dhe profesionalizmi.
“Kur më ka qëlluar të jem në komisione të Kuvendit të Shqipërisë për çështje të kulturës, shkencës, arsimit, rinisë, etj., kam vënë duart në kokë nga kotësia, nga mungesa e përgjegjësisë, nga rreshtimi partiak, nga mungesa e kompetencave profesionale”, deklaroi ai.
Fuga shtoi se këto përvoja e kanë çuar disa vite më parë të vendoste të mos merrte më pjesë në mbledhje të komisioneve parlamentare.
“Ishte e kotë, dukej sikur merrje pjesë në një mbledhje kukullash me mekanizma të prishur brenda barkut prej kashte”, u shpreh ai.