AKTUALITET, 13 Prill 2023, 18:34

"Më çoi te motra dhe iku për të marrë ushqime", 46-vjeçari i zhdukur prej 7 prillit, nëna tregon lëvizjet e fundit dhe apelon: Shteti të më gjejë djalin

"Më çoi te motra dhe iku për të marrë

Prej një jave 46-vjeçari Leonard Thodhori rezulton i zhdukur bashkë me shokun e tij Fatmir Sulovari alias Krasniqi. Asgjë nuk dihet për fatin e tyre, teksa e ëma i kërkon ndihmë shtetit me lot në sy.

76-vjeçarja Evanthia Thodhori apo Ballkua siç e njohin të gjithë, e ka parë për herë të fundit djalin e saj, Leonardin, i njohur edhe si Koçole më 7 prill. Në banesën modeste në fshatin Çukë të Sarandës ka pllakosur heshtja dhe sytë janë nga dera e nga telefoni. 

Kur e ke parë për herë te fundit djalin tënd?

Për herë te fundit e kam takuar djalin të enjten e 6 prillit. Më çoi tek motra ime e më pas iku me një shok për të marr ushqim. Mesa mora vesh kishte shkuar tek një lokal rrugës për Ksamil dhe ishte kthyer. Këtë e mësova pasi pyeta kur nuk po e gjeja. Prej asaj nate nuk e kam parë më.

Si e konstatuat zhdukjen e djalit?

Të premten, në hyrje të Çukës kam vënë re makinën që përdorte djali të parkuar keq dhe çuditshëm buzë rrugës. Më bëri habi ai lloj parkimi. Kam pyetur dhe kam kërkuar për djalin por nuk e gjeta dhe askush nuk dinte gjë. Edhe banorë të fshatit më thanë që ishte e çuditshme si ishte lënë ashtu makina. Makina ishte e marrë me qira, nuk ishte e tij. Kur erdhi pronari i kompanisë për ta marrë, mezi u hap.

U gjet gjë në makinë?

Në makinë në pamje të jashtme nuk kishte gjë, ndërsa në kroskot më vonë u gjet patenta, karikuesi dhe ilaçet qe përdorte djali. Kjo më bën te dyshoj më shumë, sepse ai pa ilaçe nuk ikte kurrë.

Në të njëjtën ditë me djalin tuaj rezulton i zhdukur edhe Fatmir Sulovari, e njihni?

Po, është nga Fieri. Është shok me djalin. Ka pasur një lokal në Ksamil mesa di. Jam takuar me njerëzit e tij, më thanë që është zhdukur edhe ai.

Çfarë marrëdhënie kishte Leonardi me Fatmirin?

Shokë ishin. Vinte edhe tek shtëpia jonë ai. Ka sjellë edhe pantallona e bluzë që t’ia laja unë.

Keni kontaktuar me policinë dhe çfarë apeli keni?

Kam kontaktuar dhe më kanë thënë që është e vështirë për ta gjetur djalin. Unë kërkoj ndihmën e shtetit, të gjitha instancat të ngrihen në këmbë për Leonardin tim.