TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u ndal pasditen e sotme tek deklaratat e kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” në Himarë.
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Kamzë, Rama tha se “kjo është diçka që PD nuk e ka bërë as në vitet ‘90, as në vitet 2000 kur ishin punët thikë më thikë me PS dhe kur në të gjithë bashkitë e tjera zgjedhjet bëheshin me konflikte të jashtëzakonshme”.
“Njerëzit digjnin posterat e grushtonin njëri-tjetrin për një flamur në shtyllë, ama atje në Himarë, vajtën bashkë. PS dhe PD vajtën bashkë në Himarë për të mbështetur një kandidat të përbashkët, kundër dikujt që kishte tendenca antishqiptare, po ai kandidati atëherë kundër të cilit u vunë PS dhe PD, ishte një zotëri burrë, krahasuar me këtë maskara që ka dalë atje në Himarë dhe që me mbështetjen e Salike Floririt kërkon votën për “Bashkë fitojmë””, shtoi Rama.
Sipas tij, “me të është e sigurt që nuk fitojnë demokratët, nuk fiton e djathta shqiptare”.
“Prandaj atë sovranitetin që ua shet Baca të djathtëve, të djathtët duhet ta kuptojnë mirë se nuk është sovranitet kur Baca do t’i shmanget përballjes me vulën që i ka vënë në ballë Amerika dhe pastaj është vasalitet kur çon atje një eksponent që vjen nga skutat më të errëta të armiqësisë së shqiptarëve, i cili kërcënon dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, i cili kërcënon njerëzit që po nuk votuan, do t’ju heqë mundësinë për të shkuar në Greqi”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” kërcënon emigrantët se po nuk votuan për të, do t’iu marrë letrat dhe do t’ua grisë.
“U them të gjithë emigrantëve që dëgjojnë sekserët e këtij, që nuk ka Zot që atyre ua gris letrat se po të jetë puna për të pasur një avokat mbrojtës në Greqi, e dinë adresën, adresa është te Kryeministria. Nuk është te një honxho-bonxho i rrethuar nga sekserë që ka mbetur i ngrirë nuk e di sa e sa dekada e shekuj në kohën e urrejtjes së shqiptarëve”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “ne nuk kemi nevojë për njerëz që nxisin urrejtje, ne duam miqësi”.
“Ne, grekët i kemi vëllezër, por secili në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë tonë shqiptarë dhe grekë janë të barabartë. Nuk ka shans që të çohet dikush dhe të nëpërkëmbë shqiptarët, ashtu sikundër të gjithë shqiptarët respektojnë grekët, por në vendin e tyre, në shtëpinë e tyre, ky maskara që thotë ‘’Unë do vë në vend të drejtat e mohuara 60 vjet’’. Çfarë 60 vjet? Ky s’di të bëjë as llogari, se nuk di pse e llogarit 60 vjet? Do vërë në vend të drejtat, do helenizojë Himarën. Do e kthejë Himarën në ku e di unë se çfarë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “atë atje ne nuk e kemi peshqesh as nga qeveria greke, as nga Greqia”.
“Ne atë e kemi peshqesh nga ajo dyshe e “faqes së zezë’’ që ka nxjerrë maskat nëpër Shqipëri edhe këtu në Kamzë”, tha ai.