AKTUALITET, 11 Maj 2023, 15:45

Kontrolli i vilës në Hamallaj, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Arben Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij

Kontrolli i vilës në Hamallaj, Gjykata e Lartë rrëzon

Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot rekursin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha.

Gjykata e Larta ka rrëzuar ankimimin duke lënë në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO.

Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përftimit të paligjshëm të interesave. Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj. 

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për kontroll në disa nga pasuritë në emër të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetuese Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh.

Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. Pas këtij kontrolli SPAK ka marrë vendimin për të sekuestruar 2 vila në kuadër të hetimit ndaj ish-zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj.

Më herët ish-gruaja e Arben Ahmetaj, ka deklaruar se vila nuk është pronë e saj. Gjatë marrjes në pyetje Maçka, ka pretenduar se vilën në Palasë ia ka lënë një shoqja e saj e cila jeton në Zvicër dhe pretendon se ka vetëm një banesë në ish-Bllok.