AKTUALITET, 6 Korrik 2026, 18:50

Nisin regjistrimet në e-Albania për klasat e para dhe të dhjeta, afati deri më 31 korrik

Nisin regjistrimet në e-Albania për klasat e para dhe të dhjeta,

Ka nisur zyrtarisht këtë të hënë, 6 korrik, procesi i aplikimeve për regjistrimin e nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta për vitin e ri shkollor 2026–2027, i cili nis më 14 shtator.

Regjistrimet kryhen përmes platformës qeveritare e-Albania, ndërsa ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi u ka bërë thirrje prindërve të respektojnë afatet dhe kriterin e vendbanimit.

“Afati është 6 korrik deri më 31 korrik, në e-Albania. Të gjithë pridnërit duhet të fillojnë procesin e regjistrimit. Është shumë e rëndësishme të ndiqni udhëzimet në e-Albania. Të respektojmë rregullat e vendosura nga njësitë e qeverisjes vendore, pra nga bashkitë, në përputhje me vendbanimin tuaj. Duhen respektuar për të ndjekur dhe për të regjistruar fëmijët në ato shkolla të cilat janë përcaktuar pranë vendbanimit tuaj”, u shpreh Kumbaro.

Sipas njoftimit zyrtar, portali do të qëndrojë i hapur për këto dy kategori deri më 31 korrik. Ministrja Kumbaro theksoi se regjistrimi në kohë është vendimtar që bashkitë dhe zyrat arsimore të planifikojnë mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor.

“Është shumë e dobishme, shumë e rëndësishme edhe për të bërë planifikimin e orëve të mësimit, e mësuesve, e shkollave, si për bashkitë, ashtu edhe për zyrat arsimore të cilat kanë filluar tashmë punën për përgatitjen e vitit të ardhshëm shkollor”, tha ajo.

Të gjitha aplikimet kryhen online, ku prindërit duhet të përzgjedhin institucionin arsimor sipas zonës së tyre të banimit, duke shmangur mbingarkesat në shkolla të caktuara.