SPORT, 19 Mars 2022, 19:57

“Kur vjen fundi nuk ka spektakël”, Shehi pas derbit: Ndeshje e sikletshme, ja pse nuk dua të dëgjoj fjalën titull

“Kur vjen fundi nuk ka spektakël”, Shehi pas derbit: Ndeshje e

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, pas fitores 1-0 me Dinamon ka deklaruar se është i kënaqur me pikët e skuadrës së tij që vazhdon të marshojë drejt titullit kampion. Por në “Gol pas Goli” ai përsëriti mendimin e tij se nuk duhej folur që tani për titullin.

“Ishte ndeshje e sikletshme për pozicionin që ka kundërshtari dhe individët që ka brenda. Kur vjen fundi, spektakli është në plan të dytë. Në pjesën e parë kishim raste por edhe kundërshtarët, se u zgjatëm pak, por në këto ndeshje janë vendimtare episodet.

Në ndeshjet derbi, episodet janë të rëndësishme, të tre rezultatet janë në konturin e lojës dhe kur kundërshtari ka penallti, mund të kompromentohet ndeshja. Ishte fundi, mund të na vinte në siklet e barazohej, por Visari më vjen mirë që është në formë.

Nuk e pashë penalltinë nga pozicioni ku isha dhe kur VAR po merrte vendim mendoja se mos ka ndonjë dyluftim trup më trup, apo karton. Por pastaj mësova që kërkohej për penallti. Janë gabime njerëzore që i bëjnë të gjithë, që nga unë i pari.

Sa i përket fjalës titull, kjo varet nga karakteri i njeriut dhe mënyra se si kërkon të implementojë gjërat. Nuk mund të themi se kemi dalë kampion kur nuk kemi dalë. Kur merresh me deklarata e eufori, atëherë skuadra fillon e ul impenjimin dhe fillon e dëmtohesh duke u futur në stres, kështu çdo gjë shkon për ters. Duke qenë në këto pozita e duke ngulur këmbët në tokë, do të kemi kohë për të festuar”, tha Shehi.