TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një 45-vjeçar nga Rrogozhina ishte kthyer në tmerrin e turistëve në Sarandë gjatë dy muajve të fundit.
Ben Sula, banues në Sinaballaj, u prangos nga operacioni “Last summer” (vera e fundit), pas vjedhjeve të shumta në zonën bregdetare.
“Ky shtetas dyshohet se gjatë sezonit turistik veror të vitit 2021 dhe të këtij viti ka kryer 19 vjedhje, në ambiente të ndryshme, në qytetin e Sarandës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se 45- vjeçari ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe në banesa të ndryshme, në të cilat qëndronin kryesisht pushues, bizhuteri të ndryshme, aparate celulare, si dhe rreth 500 000 lekë, 11 000 euro dhe 1 000 dollarë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura”, tha Policia.
Panorama raporton se Ben Sula rezulton i dënuar në Greqi dhe Itali ku ka kaluar 10 vite prapa hekurave.
Burime nga Policia e Sarandës bënë me dije se arrestimi i tij erdhi gjatë tentativës së radhës për të grabitur. I vetmuar, ai hynte nëpër banesa edhe kur banorët ishin brenda duke fjetur.
Pasi vrojtonte dritare apo ballkone të hapura, menjëherë kacavirrej e hynte brenda tyre duke mos pyetur për lartësi, deri sa arrinte qëllimin përfundimtar, vjedhjen.
Shuma të mëdha të përfituara, deri në 1.5 milionë lek të reja në vetëm në një banesë, ndërkohë që llogaritet që nga paratë cash dhe bizhuteritë e sendet me vlere të vjedhura gjatë këtij sezoni dhe atij të kaluar, të ketë përfituar rreth 50 mijë euro.
Në disa raste, teksa ka gjetur banorët në gjumë, u ka hedhur atyre spraj-piper për të mos pasur mundësi reagimi edhe nëse zgjoheshin, por që në të gjitha rastet, sipas Policisë, ka hyrë e ka dalë pa u vënë re nga askush, edhe pse mund të ketë kaluar para këmbëve të 5 personave që po flinin.
Gjatë dy muajve, Policia nuk kishte asnjë emër për të, vetëm video teksa ecte në ngushticat e lagjes nr.1 apo në bulevardin e qytetit.
Në shumicën e videove, i njëjti stil veshjeje, bluzë e pantallona me mëngë të shkurtra e sandale. Pamja e tij nuk i thoshte asgjë komisariateve të vendit ku u shpërnda fotografia e siguruara nga videot, aq sa një moment oficerët e Policisë së Sarandës dyshonin se ishte i huaj.
Për këtë, detyrë agjenteve dhe çdo shërbimi policor në Sarandë iu la kapja e një qerosi që lëvizte rreth orës 03:00-04:00 pranë bulevardit apo ngushticave të lagjes nr.1 dhe që vishte bluzë e pantallona të shkurtra e kryesisht sandale.
Policia bëri “bingo” pikërisht rreth orës 03:00 në të gdhirë të ditës së shtunë, pranë bulevardit të qytetit, në rrugën hyrëse për në aksin “Turizëm – Kanali Çukës”.
Oficerë civilë të Komisariatit Sarandë e pikasën të dyshuarin dhe e neutralizuan dhe bashkë me forcat “Shqiponja” e shoqëruan drejt Komisariatit.
Atje, pranoi jo vetëm 8 vjedhjet e këtij sezoni, por edhe 14 të sezonit të kaluar, për të cilat policia as që dyshonte që ishte i njëjti autor. “Kisha borxhe, isha i detyruar.
Vidhja dhe ikja në Rrogozhinë, paguaja borxhet dhe kthehesha sërish”, kjo është alibia, për të cilën Policia ka dyshime.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar vjedhje të tjera, ndërsa në Rrogozhinë, Sula dyshohet të ketë fshehur sendet e vjedhura dhe e mijëra euro e dollarë.